10 mijë familje do të marrin çelësat e shtëpisë në 2027 me programin e strehimit, tha Rama në Asamblenë e PS. Deri në 2030, ambicia është që të sigurohet strehimi për 55 mijë familje.
Rama u ndal edhe te akuzat për ndërtimin e kullave duke u shprehur se së pari, s’janë në numër të lartë dhe së dyti, sigurojnë të ardhura për bashkinë.
“Me buxhetin e ri dhe sistemin e ri të strehimit, 10 mijë të parët, familje të reja, do të kenë shansin të marrin çelësin e shtëpisë duke filluar nga viti i ardhshëm.
Ne kemi ambicien që deri në 2030, e kemi të shkruar në programin e 2025, të dorëzojmë 55 mijë çelësa, ku shteti u gjendet pranë të gjithëve atyre që meritojnë një mbështetje për të pasur çatinë e tyre. Një qytet që ndërton gjithnjë e më shumë si Tirana, por ku gjithnjë e më pak të rinj kanë mundësinë ta shikojnë një shtëpi e më pak ta kenë, ka një problem që nuk zgjidhet duke ndërtuar edhe më shumë, por duke e parë rritjen e Tiranës si një burim mundësish për të përfshirë edhe më shumë njerëz në shpërndarjen e kësaj pasurie të patundshme. Këtu kam një pikë që dua ta ndaj. Ne nuk kemi ende faktikisht ndërtuar në Tiranë aq shumë kulla sa të ketë një pasojë, por nga ato pak kulla, të ardhurat në buxhetin e bashkisë, janë domethënëse. Të gjithë kur shohin një kullë apo pallat të ri që ndërtohet, aty janë 3% për strehimin social, kontribut i kujtdo që ndërton një kullë apo pallat, ndërkohë që janë 8% taksë për kryeqytetin. Nëse bashkisë Tiranë i heq taksat dhe kontributet, buxheti i bashkisë, bëhet një buxhet që nuk përballon dot nga nevojat që ka qyteti e me radhë”, tha Rama.










