Kryeministri Edi Rama ironizoi opozitën në Asamblenë e PS-së, duke u kërkuar qytetarëve të shohin semaforët e shkatërruar, trotuaret dhe kangjellat e shkulura nga protestuesit në Rrugën e Durrësit për të kuptuar se si ishte dikur e gjithë Tirana.
“Tirana 2030 do të jetë realiteti i shumëkujt që sot këto që thashë i kërkon se i sheh të parealizuara. Tirana 2030, ku shtëpi të vjetra në rrezik nuk bëhen pallate, po muze. Janë bërë muze, sepse është një rrjet i tërë që ka nisur të shkojë në atë drejtim, ku bashkia nuk sillet me qytetarin si një taksambledhës që shpik çdo vit e çdo muaj tarifa të reja. Kjo nuk është kritikë për Bashkinë e Tiranës, por autokritikë për të gjitha bashkitë.
Në fund dua t’ju ftoj ta shikoni pak Rrugën e Durrësit, semaforët e shkatërruar, trotuaret e shkulura, kangjellat e shkulura dhe të zhdukura, gjurmët e dhunës mbi trupin e rrugës. Ajo ishte Tirana që morëm ne. Ajo ishte tamam ashtu, jo vetëm në Rrugën e Durrësit, por në të gjithë hapësirën e saj.
Rruga e Durrësit sot është mundësi për të gjithë ata që nuk e kanë njohur atë Tiranë, për t’u kthyer në një kohë si në film, për të ecur në të, për të hequr pemët nga pamja, se edhe ato i kemi mbjellë ne, dhe për të parë se çfarë ndryshimi i madh ka ndodhur me Tiranën.
Atë rikthim në kohë e kanë mundësuar ata që e lanë Tiranën ashtu atëherë. Ata që kanë bërë gjithmonë të njëjtën gjë. Kur e kanë pasur mundësinë ta ndryshojnë Tiranën, e kanë lënë të lëngojë. Kur ne jemi përpjekur ta ndryshojmë, nuk kanë lënë gjë pa bërë që ta pengojnë”, tha Rama.










