Kryeministri Edi Rama foli edhe për protestën, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë. Ai iu referua situatës në Rrugën e Durrësit, duke përmendur dëmtimin e semaforëve, trotuareve dhe kangjellave.
Rama e përdori këtë situatë për të krahasuar gjendjen e mëparshme të qytetit me ndryshimet që, sipas tij, janë bërë gjatë qeverisjes socialiste. Në deklaratën e tij, ai nuk u ndal te përdorimi i forcës policore ndaj protestuesve dhe studentëve.
“Ftoj të shikoni pak Rrugën e Durrësit, semaforët e shkatërruar, trotuaret e shkulur, kangjellat e shkulura dhe të zhdukura. Gjurmët e dhunës mbi trupin e rrugës. Ajo ishte Tirana që morëm ne. Ajo ishte tamam ashtu jo vetëm në Rrugën e Durrësit, por në të gjithë hapësirën e saj. Rruga e Durrësit është një mundësi për të gjithë ata për të njohur atë Tiranë që nuk e mbajnë mend. Për të hequr pemët nga pamja, se edhe ato i kemi mbjellë ne, dhe për të parë se çfarë ndryshimi ka ndodhur. Atë rikthim në kohë e kanë mundësuar ata që e lanë Tiranën ashtu, atëherë… Ata që kanë bërë gjithmonë të njëjtën gjë. Kur e kanë pasur mundësinë ta ndryshojnë, e kanë lënë të lëngojë”, tha Rama.