“Unë dhe Ervini ju japim besën”, Koçiu dhe Demo: Nisim takimet derë më derë, duam të dëgjojmë çdo socialist
Albana Koçiu dhe Ervin Demo kanë mbajtur fjalën e tyre të parë në Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, pas caktimit në drejtimin organizativ të socialistëve në kryeqytet. Të dy ndanë përgjegjësinë për organizimin e ri të strukturave të PS-së, duke vënë theksin te rikthimi i besimit, komunikimi me anëtarësinë dhe zgjerimi i bazës së partisë.
Albana Koçiu deklaroi se së bashku me Ervin Demon do të jenë pranë çdo socialisti, për të dëgjuar shqetësimet dhe sugjerimet e tyre. Ajo theksoi se PS duhet të ndryshojë mënyrën e organizimit në territor dhe të jetë një derë e hapur për këdo që dëshiron të kontribuojë në përmirësimin e qytetit.
Koçiu u ndal veçanërisht te roli i grave në parti, duke deklaruar se do të vijojë puna për fuqizimin dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje. Ajo bëri të ditur se që nga java e ardhshme do të nisin takimet intensive në terren, derë më derë.
Koçiu: Përgjegjësinë e ndaj me Ervinin dhe të dy së bashku do të japim besën për të qenë me çdo socialist të vërtetë, për t’i dëgjuar në çdo hall, shqetësim dhe për të lidhur sërish besën për të qenë të pranishëm, për të dëgjuar shqetësimet dhe sugjerimet e tyre.
Ne duhet të ndryshojmë mënyrën e organizimit të PS-së në territor. PS është një derë e hapur për të gjithë, dera e hapur është për këdo që mendon se ka një zë në komunitet. Për këtë qëllim, ne me organizatat tona socialiste do të bëjmë të mundur të mos lëmë jashtë askënd që ka një ide për të përmirësuar qytetin.
Gratë në PS kanë qenë gjithmonë të mirëpritura, kjo falë vizionit të Ramës për t’i hapur dyert në qeverisje, vendimmarrje. Do të vijojmë të fuqizojmë gratë, të dëgjojmë zërin e tyre.
Për këtë qëllim do të duhet që të vijojmë dhe të afrojmë sa më shumë gra intelektuale, shtëpiake, sepse me zërin dhe përgjegjësinë e tyre jam e sigurt që do të na japin një vlerë të shtuar.
Nga java që vjen do të nisim takimet intensive, do të jemi në terren, derë më derë. Tirana ka ekipin më të mirë të organizimit edhe për faktin që është Tirana, kështu që jam e bindur se të gjithë së bashku do të bëjmë më të mirën.
Edhe Ervin Demo theksoi rëndësinë e dëgjimit të anëtarësisë dhe ndërtimit të një marrëdhënieje ku çdo socialist të ndihet i respektuar. Ai pranoi se jo çdo problem ka marrë përgjigjen e duhur dhe kërkoi një organizim ku secili të ketë zërin e vet, duke theksuar se Tirana duhet të jetë shtëpia e të gjithëve.
Demo: Dua ta nis duke thënë diçka që e besoj fort. Asnjë detyrë, sado e rëndësishme, nuk ka vlerë pa njerëzit me të cilët e ndan.
PS janë njerëzit që i japin jetë çdo ditë, në çdo lagje, njësi administrative dhe fshat. Jeni ju që njihni familjet, që njihni shqetësimet.
Jo çdo problem ka marrë përgjigjen që meriton. Sot askush prej nesh këtu nuk flet nga pozita e një drejtuesi që ka përgjigje për gjithçka. Ne kemi ardhur me bindjen se duhet të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë një marrëdhënie ku secili ndihet i respektuar.
Tirana është qyteti ku bashkohet e gjithë Shqipëria. Kjo është një nga pasuritë më të mëdha të Tiranës. Duhet të bashkojmë energjitë, përpjekjet për një Tiranë sa më të fortë.
Tirana është shtëpia e të gjithëve dhe organizimi ynë duhet të pasqyrojë këtë realitet. Dua të jemi një skuadër ku secili ka zërin e vet.
Do të ketë vështirësi dhe gabime, por rëndësi ka të kemi besim për të folur hapur, për të korrigjuar atë që nuk funksionon dhe për të ecur përpara.




