I dënuar në Spanjë e Greqi për trafik droge, Prokuroria e Beratit sekuestron pronat e shtetasit D.L: Nuk justifikohen nga të ardhurat
Prona të paluajtshme, apartamente dhe automjete luksoze në emër të shtetasit D.L. dhe personave të lidhur me të kanë rënë nën sekuestro pas një hetimi pasuror të nisur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Berat. Masa është vendosur në kuadër të procedimit penal nr. 963 të vitit 2018, ku i dyshuari hetohet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Sipas fashikullit hetimor, gjurmët e parave të dyshuara si të fituara jashtë ligjit çojnë drejt aktivitetit kriminal të shtetasit D.L. jashtë kufijve të Shqipërisë. Ai rezulton i përfshirë në trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike kryesisht në Spanjë dhe Greqi, për të cilat është hetuar dhe dënuar nga drejtësia e këtyre vendeve, në përputhje me veprën penale të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.
Hetuesit vlerësojnë se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave nga trafiku i drogës është kanalizuar drejt Poliçanit, vendbanimit të shtetasit D.L. Aty dyshohet se janë blerë dyqane, apartamente për vete dhe familjarë, si dhe automjete të markave të ndryshme. Paralelisht, ai figuron i lidhur me biznese private, kryesisht në tregtinë ushqimore, ambiente “Bar-Kafe” dhe shërbime të ushqimit të shpejtë.
Verifikimet tregojnë se shtetasi D.L. ndodhet në Spanjë që nga viti 2017, ku ka qenë i ndaluar nga autoritetet spanjolle për trafikim narkotikësh. Ndërkohë, analiza financiare për periudhën 2005–2016 nxjerr në pah një mospërputhje të qartë mes të ardhurave të dokumentuara të tij dhe të familjarëve me shpenzimet dhe investimet e kryera.
Për të parandaluar tjetërsimin e aseteve të dyshuara, me kërkesë të organit të akuzës u sekuestruan pasuri në zonën kadastrale 3019, në vëllimet 5, 7, 10, 16 dhe 17, me numra pasurie si 3/175-N2, 11/75+1-9, 11/75-1-9, 12/201-N8, 12/200-2+9, 12/206-2+9, 12/206 dhe 12/206-N17, me status regjistrimi të përkohshëm ose aktiv pranë Z.V.R.P.P. Berat.
Listës së aseteve të ngrira i shtohen edhe një sipërfaqe prej 48 në Skrapar brenda ZK 3019, një apartament prej 66 metrash katrorë në Skrapar, një automjet “Mercedes Benz” në pronësi të D.L., si dhe një mjet tjetër “Mercedes Benz E270CDI”.
Njoftimi i plotë:
Nuk justifikohen nga të ardhurat, Prokuroria e Beratit sekuestron pronat e shtetasit D.L., dënuar në Spanjë e Greqi për ‘Trafikim të Lëndëve Narkotike’
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshm, Berat, u sekuestruan pasuritë e shtetasit D.L., dhe personat e lidhur me të, i dyshuar për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.963, të vitit 2018, dhe referimit pasuror mbi të, rezultoi se shtetasi D.L., është përfshirë në veprimtari kriminale jashtë shtetit e kryesisht në Spanjë dhe Greqi në aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike për të cilën ky shtetas është hetuar (dënuar) nga autoritetet e drejtësisë së këtyre shteteve, për konsumimin e veprës penale të “Trafikimit të Lëndëve Narkotike” parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat dyshon se me të ardhurat e siguruara nga veprimtaria kriminale, ky shtetas ka investuar në Shqipëri në qytetin e Poliçanit ku jeton, me blerjen e objekteve dyqane, apartamente për vete dhe familjarët si dhe në blerjen e mjeteve të markave të ndryshme. Ai disponon gjithashtu edhe aktivitete private kryesisht në fushën e tregtisë ushqimore, ”Bar-Kafe”, ‘Ushqim i shpejtë”, etj.
Shtetasi D.L. ndodhet në Spanjë që nga viti 2017, ku në bazë të informacioneve rezulton i ndaluar nga organet e drejtësisë Spanjolle për veprën penale Trafikimit të Lëndëve Narkotike.” Nga Analiza Financiare për periudhën 2005 – 2016 rezulton se të ardhurat dhe burimet financiare të dokumentuara të D. L. dhe familjarëve të tij nuk rezulton mjaftueshëm për të mbuluar përdorimet financiare të evidentuara.
Sa më sipër, duke qenë se shtetasit D.L. ka kryer veprimtari kriminale në kundërshtim me ligjin dhe vendosja e sekuestros për pasurive të paluajtshme është e domosdoshme, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, u sekuestruan pasuritë e mëposhtme të shtetasit D.L. dhe familjarëve të tij:
– ZK 3019, volum 10, nr. Pasurie 3/175-N2, me status regjistrim i përkohshëm, në pronësi të shtetasit D.L.;
– ZK 3019, volum 7, nr. pasurie 11/75+1-9, në pronësi të shtetasit D.L.;
– ZK 3019, volum 7, me status regjistrim i përkohshëm në Z.V.R.P.P Berat;
– ZK 3019, volum 7, nr. pasurie 11/75-1-9, me status aktiv në Z.V.R.P.P Berat;
– ZK 3019, vol 17, nr.pasurie 12/201-N8 me status regjistrim i përkohshëm;
– ZK 3019, vol 17, nr. pasurie 12/200-2+9 me status regjistrim i përkohshëm;
– ZK 3019, vol 5, faqe 48, nr. pasurie 12/206-2+9 me status regjistrim i përkohshëm;
-ZK 3019, vol 10, faqe 45, nr. pasurie 12/206 me status regjistrim i përkohshëm;
– ZK 3019, vol 16, nr. pasurie 12/206-N17 me status aktiv;
-ZK 3019, vol 10, faqe 45 me numër pas 12/206 me regjistrim të përkohshëm në Berat;
– Sipërfaqe 48(dyzet e tete) në Skrapar, në ZK 3019;
– Apartament me sipërfaqe prej 66 m2, në Skrapar;
– Automjet i markës Mercedes Benz në pronësi të shtetsit D.L.; dhe
– Automjet i markës, Mercedes Benz, E270CDI.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




