Një ekzekutim me injeksion vdekjeprurës në Teksas të SHBA-së ka shkaktuar reagime dhe polemika, pasi procedura për marrjen e jetës së një të dënuari zgjati më shumë se një orë. Personeli i burgut hasi vështirësi në gjetjen e një vene të përshtatshme për administrimin e substancës vdekjeprurëse.
Bëhet fjalë për Reinaldo Dennes, 70 vjeç, i dënuar me vdekje për vrasje në vitin 1996. Ai ndërroi jetë pasi, sipas raportimeve, u ankua vazhdimisht gjatë procedurës, ndërsa punonjësit e burgut përpiqeshin të vendosnin dy gjilpërat intravenoze për administrimin e pentobarbitalit, medikamentit që përdoret në këtë metodë ekzekutimi.
Ngjarja ka rikthyer debatin mbi mënyrën e zbatimit të dënimit me vdekje në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht për shkak të vuajtjeve që mund të shkaktohen kur procedura nuk realizohet sipas parashikimeve.
Nga ana tjetër, autoritetet e burgut kanë deklaruar se të gjitha protokollet dhe procedurat zyrtare janë respektuar. Në ekzekutim ishte i pranishëm edhe pastori Jeff Hood, i cili ka asistuar në më shumë se 12 ekzekutime në SHBA. Duke komentuar ngjarjen, ai u shpreh se bëhej fjalë për ekzekutimin më të rëndë që kishte dëshmuar.
“Kjo ishte pa dyshim më e keqja nga të gjitha dhe nuk shkoi siç ishte parashikuar”, deklaroi ai. Rasti në Teksas vjen rreth dy muaj pas një tjetër episodi problematik në Tenesi, ku ekzekutimi i Christa Pike nuk arriti të realizohej. Sipas avokatëve të saj, dy doza pentobarbitali nuk hynë siç duhet në qarkullimin e gjakut, duke i shkaktuar djegie dhe flluska në krahë. Dy ngjarjet kanë shtuar pikëpyetjet mbi përdorimin e injeksionit vdekjeprurës dhe sigurinë e procedurave të ekzekutimit në burgjet amerikane.

