A ia shkaktoi vera e lirë shurdhimin Bethovenit?

A ia shkaktoi vera e lirë shurdhimin Bethovenit?

12:36, 21/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Të dhëna nga flokët e Bethovenit

Teoria se helmimi nga plumbi mund të ketë ndikuar në problemet shëndetësore të Bethovenit mori më shumë vëmendje në vitin 2000, kur shkencëtarët analizuan një tufë flokësh që besohej se ishte prerë nga koka e kompozitorit pak pas vdekjes së tij. E njohur si tufa Hiller, sipas muzikantit të ri Ferdinand Hiller, i cili thuhet se e kishte marrë si kujtim, kjo tufë përmbante përqendrime plumbi deri në 100 herë më të larta se nivelet normale.

Por, më shumë se dy dekada më vonë, provat morën një drejtim të papritur. Në një studim të vitit 2023, një ekip ndërkombëtar studiuesish shqyrtoi tetë tufa flokësh që i atribuoheshin Bethovenit, me synimin për të analizuar gjenomin e tij. Për habinë e tyre, tufa e famshme e Hillerit i përkiste një gruaje dhe jo Bethovenit, duke vënë në pikëpyetje rezultatet e mëparshme lidhur me helmimin nga plumbi.

Megjithatë, studiuesit autentifikuan pesë tufa të tjera flokësh. Analiza gjenetike nuk dha përgjigje për shurdhimin e Bethovenit, por zbuloi se ai kishte një predispozitë gjenetike për sëmundjet e mëlçisë dhe ishte infektuar me hepatitin B, gjë që mund të ndihmojë në shpjegimin e cirrozës që kontribuoi në vdekjen e tij në moshën 56-vjeçare.

Më pas erdhi një tjetër zbulim. Në maj të vitit 2024, një ekip i drejtuar nga Nader Rifai, profesor i patologjisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit, publikoi rezultatet e analizave toksikologjike të dy tufave të autentifikuara të flokëve të Bethovenit, të njohura si tufat e Bermann-it dhe Halm-Thayer-it, sipas pronarëve të mëparshëm.

Rezultatet ishin befasuese: përqendrimet e plumbit ishin rreth 64 herë mbi kufirin e sipërm të normales në njërën mostër dhe 95 herë mbi këtë kufi në tjetrën. Studiuesit zbuluan gjithashtu nivele të larta arseniku dhe merkuri.

Studiuesit vunë në dukje se nivele kaq të larta plumbi lidhen zakonisht me humbjen e dëgjimit, si dhe me probleme gastrointestinale dhe të veshkave. Ata sugjeruan disa burime të mundshme të ekspozimit të Bethovenit ndaj plumbit, përfshirë verën e ndotur me plumb, ushqimin dhe trajtimet mjekësore, por nuk arritën në përfundimin se helmimi nga plumbi ishte shkaku i shurdhimit të tij.

Kuniyoshi Sakai, neuroshkencëtar në Universitetin e Tokios, i cili ka një interes të kahershëm për Bethovenin, është më i bindur për teorinë e helmimit nga plumbi. “Për shurdhimin e tij janë propozuar edhe shkaqe të tjera, përfshirë otosklerozën, sifilizin, sëmundjen e Pagetit dhe shurdhimin neurologjik. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk mund të shpjegojë plotësisht simptomat apo rezultatet e autopsisë”, thotë ai.

Autopsia e Bethovenit, e kryer një ditë pas vdekjes së tij në vitin 1827, zbuloi nerva dëgjimi të atrofizuar, ku nervi i majtë ishte dukshëm më i hollë se ai i djathti. Sakai beson se këto gjetje sugjerojnë se humbja e dëgjimit ka qenë me gjasë me origjinë neurologjike. Ai argumenton gjithashtu se helmimi nga plumbi mund të shpjegojë njëkohësisht humbjen e dëgjimit dhe problemet e vazhdueshme gastrointestinale të Bethovenit.

Sa i përket burimit të plumbit, Sakai e konsideron verën e ndotur një mundësi veçanërisht të besueshme. “Të dhënat mjekësore të tij nuk sugjerojnë ekspozim ndaj plumbit përmes trajtimeve mjekësore, ndërsa konsumimi i plumbit përmes ushqimit ishte i pazakontë edhe në shekujt XVIII-XIX”, thotë ai, duke shtuar se “humbja progresive e dëgjimit përputhet me helmimin kronik nga plumbi, pasi ai vazhdoi të pinte gjatë gjithë jetës”.

Bethovenit i pëlqente shumë vera. Mjekët e tij thuhet se e kishin të vështirë ta bindnin të mos pinte kur ishte i sëmurë, ndërsa miku i tij Karl Holz e përshkruante si një konsumues të madh të verës: “Pinte shumë verë gjatë vakteve, por e përballonte mirë dhe, në shoqëri të gëzueshme, ndonjëherë dehej”.

Por, a ishte vera që pinte Bethoveni në të vërtetë e ndotur me plumb?

Një përbërës i bërë nga rrushi mund të përmbante plumb

Shtimi i plumbit në verë nuk ishte aspak një praktikë e re. Që nga koha e Romës së lashtë, prodhuesit e verës përdornin përbërës që përmbanin plumb, përfshirë një shurup të ëmbël rrushi të quajtur sapa, i cili mund të përmbante acetat plumbi. Shurupi përdorej për të përmirësuar shijen e verërave me cilësi të dobët dhe për të parandaluar prishjen e tyre.

Në vitet 1690, një mjek gjerman e lidhi një shpërthim rastesh me dhimbje të forta abdominale me verën e ndotur me plumb, ndërsa në Vjenën e shekullit XIX, shitësit njiheshin se ndonjëherë i përzienin verërat me substanca të dëmshme, pavarësisht ligjeve që e ndalonin këtë praktikë.

Image

Megjithëse nuk ka prova historike se Bethoveni konsumoi verë të ndotur me plumb, ekzistojnë disa dëshmi se ai pinte verë me cilësi të dyshimtë. Sipas William Meredith, drejtor themelues i Qendrës Ira F. Brilliant për Studimet mbi Bethovenin në Universitetin Shtetëror të San Jose dhe bashkautor i studimit të vitit 2024, miku i Bethovenit, Franz Oliva, u ankua në vitin 1820 se vera që kishte marrë përmes kompozitorit ishte aq e keqe sa mund ta bënte të sëmurej.

Në vitin 1823, sekretari i tij, Anton Schindler, e paralajmëroi të mos pinte një tjetër verë, duke e cilësuar atë si “të falsifikuar në mënyrë skandaloze” dhe duke pretenduar se i kishte shkaktuar flluska në qiellzë. Edhe nipi i Bethovenit, Karlvan Bethoven, shprehu dyshime për cilësinë e verës që i shërbehej të ungjit.

Edhe vetë Bethoveni ishte i shqetësuar. Pak para vdekjes, ai u ankua në një letër për pamundësinë e gjetjes së një vere cilësore të Rhein-it apo Moselës në Vjenë. “Është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh këtu një verë të mirëfilltë dhe të pandotur, edhe me çmimin më të lartë”, shkruante ai.

Megjithatë, nëse helmimi nga plumbi e shkaktoi vërtet shurdhimin e Bethovenit, mbetet e paqartë. Robin Wallace, autor i librit Hearing Bethoven: A Story of Musical Lossand Discovery është skeptik. “Mendoj se kjo është e pamundur, duke pasur parasysh se humbja e dëgjimit filloi në mesin e të 20-ave dhe vazhdoi në mënyrë të qëndrueshme më pas”, thotë ai. “Do të dyshoja se pasojat e akumulimit të plumbit do të shfaqeshin vetëm më vonë në jetë”.

Megjithatë, Wallace nuk e përjashton plotësisht këtë mundësi. “Diagnostikimi i dikujt që ka vdekur prej 200 vitesh do të jetë gjithmonë një hamendësim dhe gjithçka është e mundur, ndaj nuk e përjashtoj as helmimin nga plumbi”.

Ndërkohë, Bethoveni vazhdoi ta shijonte verën deri në fund të jetës. Madje, edhe në shtratin e vdekjes, thuhet se i jepnin sasi të vogla vere me lugë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco