Shqipëria në majat e Ballkanit! Dion Muçogllava fiton medaljen e artë në Kroaci
Gjimnasti Dion Muçogllava është shpallur Kampion Ballkani, duke fituar Medaljen e Artë në disiplinën e kërcimit kaluçi, në Kampionatin e 5-të Ballkanik të Gjimnastikës Artistike për Femra dhe Meshkuj me Grupmosha, që po zhvillohet në Zadar të Kroacisë.
Dion Muçogllava përfaqësoi Shqipërinë në kategorinë Junior, ndërsa pjesë e ekipit kombëtar ishin edhe pesë vajza në kategoritë Pre-Youth dhe Youth: Amatia Lleshi, Enesa Sulaj, Gleren Sevdari, Nadia Daci dhe Maria Zefi.
Ekipi shqiptar u shoqërua nga trajnerët Xheni Kozi dhe Izmir Kashi.
Një paraqitje mjaft pozitive shënuan edhe Amatia Lleshi dhe Gleren Sevdari, të cilat iu afruan finales, duke humbur kualifikimin vetëm me një diferencë shumë të ngushtë pikësh, përkatësisht në disiplinat kërcim kaluçi dhe trarë ekuilibri.




