Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaron se ekzistojnë argumente “të arsyeshme” për një ndryshim rrënjësor të doktrinës bërthamore të Iranit. Sipas tij, anëtarësimi në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) nuk e pengoi sulmin ndaj objekteve bërthamore të vendit.
Një qëndrim të ngjashëm për marrëveshjen me Teheranin e ka shprehur më parë edhe Donald Trump. Megjithatë, kreu i diplomacisë iraniane këmbëngul se qëndrimi zyrtar i Teheranit nuk ka ndryshuar. Deri tani doktrina mbetet e njëjta, shkruan Euronews Albania.
Deklaratat i dha në një intervistë të publikuar më 21 nëntor në të përditshmen qeveritare “Iran”. Araqchi e përshkroi debatin e zgjeruar mes elitës politike iraniane për këtë çështje si “serioz dhe strategjik”. Theksoi se të dyja palët kanë argumente të forta.
Ai shtoi se largimi nga kuadri i tanishëm “nuk do të kalonte pa pasoja të ndërlikuara”. “Deri në këtë moment, doktrina jonë nuk ka ndryshuar dhe qëndrimet tona zyrtare mbeten të njëjta”, citohet ministri. Prej disa muajsh, zyrtarë të lartë të sigurisë dhe ligjvënës të linjës së ashpër po bëjnë thirrje haptazi që Irani jo vetëm të tërhiqet nga NPT-ja, por edhe të zhvillojë kapacitete bërthamore për parandalim.
Sipas Araqchit, përkrahësit e ndryshimit argumentojnë se anëtarësimi në NPT nuk i parandaloji sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane. Të njëjtin efekt nuk e dhanë masat mbikëqyrëse të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) dhe mekanizmat e tjerë të mbikëqyrjes. NPT-ja, që hyri në fuqi më 1970, synon të parandalojë përhapjen e armëve bërthamore.
Njëkohësisht nxit përdorimin paqësor të energjisë bërthamore nën mbikëqyrjen e IAEA-së. Si shtet anëtar që nuk zotëron armë bërthamore, Irani është ligjërisht i detyruar të mos prodhojë dhe as të sigurojë armë të tilla. Megjithatë, ai gëzon të drejtën për ta zhvilluar energjinë bërthamore për qëllime paqësore.
