Lajmi i fundit

Studentët në protestë para ministrisë së Arsimit

Rama në Asamblenë e PS-së paralajmëron përdorimin e administratës në zgjedhje: Mos hiqni njeri nga puna se...

Rama në Asamblenë e PS-së paralajmëron përdorimin e administratës në zgjedhje: Mos hiqni njeri nga puna se...

13:32, 21/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një tjetër sinjal për përfshirjen e administratës publike në interesat elektorale të Partisë Socialiste vjen nga mbledhja me dyer të mbyllura e Asamblesë së PS-së për Tiranën. Kryeministri Edi Rama u ka dhënë porosi drejtuesve dhe përfaqësuesve socialistë që të mos largojnë askënd nga puna deri në zgjedhje, një udhëzim që ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si mazhoranca e trajton administratën shtetërore në prag të procesit elektoral.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja e Syri-t, Ambrozia Meta, Rama u ka kërkuar socialistëve të mos ndërmarrin largime nga puna deri në zgjedhje. Një porosi që, përtej formulimit të saj, rikthen në vëmendje problematikën e përdorimit të administratës publike për interesa partiake dhe elektorale. Administrata shtetërore duhet të funksionojë në shërbim të qytetarëve dhe jo të kthehet në një mekanizëm që vihet në dispozicion të partisë në pushtet sa herë afrohen zgjedhjet.

Në vend që të garantohet ndarja mes shtetit dhe partisë, porosia e kryeministrit për të mos larguar punonjësit deri në zgjedhje tregon se çfarë roli pritet të ketë kjo administratë gjatë fushatës. Nëse punësimi dhe qëndrimi në detyrë i punonjësve publikë lidhet me interesat dhe llogaritë elektorale të mazhorancës, atëherë kufiri mes administratës shtetërore dhe strukturave partiake bëhet gjithnjë e më i paqartë, gjë e cila është shënuar si shkelje e rëndë e barazisë në zgjedhje edhe në raportin e OSBE/ODIHR në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Gjatë mbledhjes, Rama është ndalur edhe te situata në Bashkinë e Tiranës, duke këmbëngulur se nuk ka konflikte të brendshme në parti. Ai ka deklaruar se nuk është diskutuar për kandidatin e Tiranës dhe se asnjë prej të pranishmëve nuk ka marrë fjalën, ndërsa u ka kërkuar socialistëve të vijojnë punën.

Kryeministri ka folur edhe për Erion Veliajn, për të cilin mësohet të jetë shprehur: “Lalin e fal, është në izolim”. Ndërkohë, këshilltarëve bashkiakë u ka kërkuar të mos hartojnë rezoluta në emër të Këshillit Bashkiak për transferimin e Veliajt në burgun e Fierit, duke thënë se një gjë e tillë nuk është e nevojshme. Rezoluta në fjalë është iniciuar nga këshilltari Halit Valteri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco