E shtunë, 21 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Trump e konsideroi Putin mik, Zelensky: Për ne ai është një armik dhe vrasës

Deklarata e Donald Trumpit, i cili e cilësoi Vladimir Putinin si mik pas takimit trepalësh në Kinë, ka shkaktuar reagimin e ashpër të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në një intervistë për CNN, Zelensky theksoi se, pavarësisht marrëdhënieve personale që mund të ketë presidenti amerikan me kreun e Kremlinit, për Ukrainën ai mbetet armik dhe vrasës.

“Për ne, ai është armik. Dhe sigurisht, për ne, ai është një vrasës. Madje mendoj se për shumicën e njerëzve në botë, ai është një vrasës”, tha Zelensky.

Zelensky paralajmëroi se përdorimi i një gjuhe miqësore ndaj Putinit mund të dobësojë presionin ndërkombëtar ndaj Moskës, duke i dhënë presidentit rus përshtypjen se nuk po mbahet përgjegjës për agresionin ndaj Ukrainës.

Reklamë

Megjithatë, presidenti ukrainas nuk e konsideron të humbur rolin e Uashingtonit në përpjekjet për paqe.

Ai e cilësoi Shtetet e Bashkuara si ndërmjetësuesit më të fuqishëm që mund të kenë palët dhe theksoi se Trump ka instrumente të rëndësishme për të ushtruar presion ndaj Putinit.

Deklaratat e Zelenskyt vijnë në një moment kur Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës. Vetëm gjatë oreve te fundit Moska lëshoi mbi 400 dronë dhe më shumë se 110 raketa, duke goditur edhe infrastrukturën civile.

Ndërkohë, afrimi publik i Trumpit me Putinin ka ngjallur shqetësim edhe në Europë. Polonia e ka cilësuar shqetësuese pritjen e ngrohtë që presidenti amerikan i rezervoi kreut të Kremlinit, ndërsa Komisioni Europian ka ritheksuar mbështetjen për përpjekjet që synojnë t’i japin fund luftës së agresionit rus.

Për Kievin dhe aleatët europianë, sfida mbetet që përpjekjet diplomatike të mos kthehen në një lehtësim të presionit ndaj Moskës, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.