Nga Bashkimi i Prizrenit në Itali, një kapitull i ri për Besim Bytyqin

Talenti i basketbollit prizrenas, Besim Bytyqi do ta vazhdojë karrierën te Orange1 Basket Bassano, një prej akademive të njohura italiane për zhvillimin e basketbollistëve të rinj.
KB Bashkimi ka njoftuar se Besim Bytyqi do të largohet nga Prizreni për të vazhduar rrugëtimin e tij sportiv në Itali.
Basketbollisti 18-vjeçar do t’i bashkohet Orange1 Basket Bassano, akademi e njohur për punën në zbulimin dhe zhvillimin e talenteve të reja të basketbollit.
Klubi prizrenas e ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku i ka uruar Bytyqit shumë suksese në aventurën e re, zhvillim të vazhdueshëm dhe realizimin e synimeve të tij.
“Një kapitull i ri për Besim Bytyqin! Nga Prizreni drejt ëndrrave të reja”, thuhet në mesazhin e Bashkimit.
Ndryshe, Bytyqi debutoi në ekipin e parë me KB Bashkimin në moshën 16 vjeçare në dhjetor 2024 dhe u shfaq për ekipin si në ndeshjet vendore ashtu edhe në ato evropiane.
Ndërkombëtarisht, ai përfaqësoi Kosovën në nivelin e të rinjve në turnetë e EuroBasket të FIBA-s U16 dhe U18. /Telegrafi/






































