Mjeshtri i cylës dyjare në jug/ Mane Dinaj ruan instrumentin e rrallë të Labërisë, traditën e barinjve që rrezikon të shuhet

21/11/2026 13:53

Në një kohë kur shumë prej zanateve dhe traditave të hershme rrezikojnë të harrohen, Mane Dinaj vijon t’i qëndrojë besnik një prej instrumenteve më karakteristike të muzikës popullore shqiptare, cylës dyjare.

Prej dekadash, duart e mjeshtrit gjirokastrit përpunojnë drurin, duke i dhënë formë një instrumenti që dikur shoqëronte barinjtë në kullotat e maleve dhe gjallëronte jetën në stanet e Labërisë.

Për Mane Dinajn, kjo nuk është thjesht një mjeshtëri artizanale, por një pjesë e historisë dhe identitetit kulturor që duhet ruajtur. Çdo copë druri kërkon përkushtim, përvojë dhe njohjen e sekretit të tingullit që duhet të prodhojë instrumenti.

Cyla dyjare, e njohur edhe si longari apo bicula, është një instrument tradicional frymor me dy tuba, i lidhur ngushtë me kulturën baritore të Jugut. Në një kohë kur traditat kërkojnë gjithnjë e më shumë njerëz që t’i mbajnë gjallë, Mane Dinaj dëshmon se trashëgimia kulturore nuk ruhet vetëm në muze, por mbi të gjitha në duart e njerëzve që refuzojnë ta lënë atë të shuhet.

 

Top Channel