Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama është përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në arredimin dhe projektimin e vilës që lidhet me emrin e Ergys Agasit në Durrës.
Gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët, Berisha iu përgjigj një pyetjeje lidhur me ndërtimin e vilës në zonën e bllokut qeveritar në Durrës, e cila thuhet se ruhet nga Garda dhe është ndërtuar me firmën e Ramës, Kumbaros dhe Sakos.
I pyetur nëse personat e përmendur duhet të ishin marrë në pyetje nga SPAK dhe cilat janë kriteret për ndërtimin në një zonë të tillë, Berisha tha se Rama është angazhuar vetë për arredimin e vilës.
Më tej, kreu i PD-së e cilësoi atë si “vila Rama-Agasi”, ndërsa hodhi akuza edhe ndaj Prokurorisë, për të cilën tha se vepron sipas urdhrave të Partisë Socialiste.
“Ajo që di unë për këtë vilë është se për interierin e saj është angazhuar, nga Alfa te Omega, vetë Edi Rama. Gjithnjë kam menduar se vila është e Edi Ramës. Të them të vërtetën, mund të jetë, mund të mos jetë.
Por që Edi Rama është marrë me bojërat, me të gjitha orenditë e brendshme, me të gjithë interierin, është e sigurt. Ai është detyruar të shkojë aty brenda, sepse për projektin s’ka dyshim që e ka parë, po e ka parë në zyrën e vet. Vila mund të quhet pa frikë vila Rama-Agasi.
Çfarë mund të presësh nga prokuroria, që dëshmohet çdo ditë e më shumë si seksion apo organizatë e Partisë Socialiste? Ajo zbaton urdhrat.
Dhe ajo vilë që thuhet se është e Agasit, unë mund t’ju them se është vetëm një aset i tyre, por pasuritë e Agasit dhe Edi Ramës të përbashkëta janë përrallore. Çdo vjedhje e Agasit është vjedhje e Edi Ramës, të mos ketë kush asnjë dyshim”,- tha Berisha.
LEXO EDHE:
Te Konvalishenca në Durrës ku, me firmë të Ramës, vila e Agasit ruhet nga Garda e Republikës












