Një burrë është gjetur pa shenja jete mëngjesin e sotëm në vendin e tij të punës, në një fermë për kultivimin e peshqve në Istog.
Lajmin e ka konfirmuar fillimisht Policia e Kosovës, e cila ka dalë në vendngjarje së bashku me ekipin emergjent.
Të lidhura
None found
Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion me urdhër të prokurorit të Krimeve të Rënda.
Sipas zëdhënësit të kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, shkaku i vdekjes do të bëhet i ditur pas përfundimit të autopsisë.
Në përgjigjen e Prokurorisë thuhet se po ndërmerren veprime të tjera në koordinim me Policinë e Kosovës për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Policia e Kosovës në rajonin e Pejës ka dhënë detaje shtesë për rastin, duke bërë me dije se ngjarja ka ndodhur sot, më 21.11.2026, rreth orës 07:00.
Sipas njoftimit, viktima, një mashkull i moshës madhore, u gjet pa vetëdije në fermën e peshqve ku punonte, ndërsa mjeku kujdestar konstatoi vdekjen në vendngjarje.
Prokurori i Shtetit ka dalë gjithashtu në vendin e ngjarjes dhe, në konsultim me të, është iniciuar rasti “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Hetimet vijojnë me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.






