Nëntë shoferë janë privuar nga liria gjatë 24 orëve të fundit në lokacione të ndryshme të vendit, për shkak të drejtimit të pakujdesshëm të automjetit, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas policisë, pesë prej tyre kanë drejtuar automjete pa e dhënë fare provimin e vozitjes. Ndërkohë, dy shoferë janë kapur duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit.


Njëri prej tyre, një 39-vjeçar nga fshati Lipoviq i Poshtëm, kishte 1.15 promilë alkool në gjak, ndërsa një 28-vjeçar nga Velesi kishte 1.53 promilë.

Dy shoferë të tjerë janë kapur duke drejtuar automjete pavarësisht se kishin ndalesë aktive për drejtim, ndërsa një 40-vjeçar nga rrethina e Tetovës është ndaluar pasi kishte tejkaluar shpejtësinë e lejuar.

Të gjithë personat janë privuar nga liria, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rasteve ndaj tyre do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale.

Nga MPB-ja u bëjnë apel shoferëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit, të mos drejtojnë automjete pa patentë, nën ndikimin e alkoolit apo kur kanë ndalesë aktive për drejtim, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik.