4 inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit janë shkarkuar nga detyra për rastin e ngarkesës 27 tonësh me mish derri nga Brazili.

Një prej tyre, me iniciale L.B., është inspektor në Pikën e Kalimit Kufitar pranë Durrës, ndërsa tre të tjerët, janë inspektorë në AKU Fier.

Për të katërt, konstatohet se nuk kanë verifikuar dokumentacionin e ngarkesës së subjektit KING-MIT, nuk kanë identifikuar shkeljet dhe s’kanë vendosur gjobë proporcionale.

Për marrjen e vendimit për largimin e tyre nga detyra, është ngritur një Komision Disiplinor dhe janë zhvilluar dy seanca dëgjimore.

Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar verifikimin e ligjshmërisë së procedurave administrative të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së për importimin dhe inspektimin e ngarkesës, me qëllim shqyrtimin e plotë të dokumentacionit, veprimeve të kryera dhe përgjegjësive të strukturave të përfshira.