Po transportonin 9 emigrantë drejt Malit të Zi dhe Kosovës, arrestohen 3 të rinj
Tre të rinj kanë përfunduar në prangat e Policisë së Elbasanit, pasi dyshohet se ishin përfshirë në transportimin e emigrantëve që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar. Gjatë operacionit, uniformat blu kapën në flagrancë tre personat, të cilët po transportonin me dy automjete nëntë shtetas të huaj nga vendet e treta.
Të arrestuarit janë Aldi Dishnica, Mateo Tacelli dhe Klevi Nallbati, të tre banues në Korçë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga policia, emigrantët dyshohet se kishin kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin e gjelbër në zonën e Korçës. Më pas, ata po transportoheshin drejt pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit dhe Morinës, me destinacion vijimin e udhëtimit jashtë Shqipërisë.
Ndërhyrja e policisë bëri të mundur ndalimin e tre të rinjve dhe identifikimin e nëntë emigrantëve që ndodheshin në automjete.
Në cilësinë e provës materiale, autoritetet sekuestruan dy automjetet e përdorura për transportin, si dhe pesë aparate celularë, të cilët pritet të shërbejnë për dokumentimin e veprimtarisë së dyshuar.
Materialet procedurale për këtë rast i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit, ku tre të arrestuarit do të përballen me akuzën e “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



