E shtunë, 21 Nëntor 2026 Fat i Hidhur deri në 16:30 Në vijim ora 16:30: Takohemi N'vizion Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

SHBA publikon pamje të reja të UFO-ve, objekti misterioz kalon pranë një anijeje luftarake amerikane

Pentagoni ka publikuar një video të re ku shfaqet një objekt i paidentifikuar që fluturon pranë një anijeje luftarake amerikane në Lindjen e Mesme. Pamjet janë regjistruar në vitin 2020 dhe janë bërë publike si pjesë e dokumenteve të deklasifikuara për UFO-t.

Pamjet zgjasin rreth 20 sekonda dhe tregojnë një objekt me formë rrethore, që lëviz nga e djathta në të majtë, duke kaluar pranë anijes.

Një zyrtar i Pentagonit i tha medias amerikane The Independent se nuk ka informacion shtesë për këtë rast. Sipas tij, autoritetet nuk do të japin komente apo vlerësime për dokumentet në tërësi apo për ndonjë prej materialeve të publikuara, në mënyrë që qytetarët amerikanë të krijojnë vetë opinionin e tyre.

Ky është publikimi i tetë i dokumenteve të deklasifikuara nga Pentagoni që prej muajit maj, pas udhëzimit të presidentit Donald Trump për të bërë publike të dhënat që lidhen me UFO-t dhe takimet e pretenduara me jashtëtokësorë.

Reklamë

Përveç videos, dokumentet përfshijnë edhe një raport të vitit 1953 nga inxhinieri i kompanisë Lockheed, Clarence “Kelly” Johnson, i cili kishte dokumentuar dy objekte të pazakonta që pretendonte se kishte parë nga ferma e tij në Kaliforni.

Në raport, Johnson përshkruante një objekt të errët blu në formë disku, të cilin pretendonte se e kishte parë në dhjetor 1953. Ai kishte raportuar gjithashtu një tjetër objekt në nëntor 1951, që sipas tij lëvizte në qiell drejt perëndimit dhe lëshonte një dritë ose flakë blu të çelët. Inxhinieri kishte shoqëruar raportin edhe me skica të objekteve.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se pamjet e objekteve të paidentifikuara nuk përbëjnë domosdoshmërisht prova për jetë jashtëtokësore.

Interesi për fenomenet e paidentifikuara është rikthyer në vëmendje nga presidenti Donald Trump, i cili në shkurt premtoi publikimin e materialeve që, sipas tij, do të ishin interesante për publikun.

Ndërkohë, misteri i UFO-ve ka tërhequr edhe presidentë të tjerë amerikanë. Bill Clinton ka treguar se kishte kërkuar një shqyrtim të incidentit të Roswell-it, të vitit 1947, ndërsa Jimmy Carter dhe Ronald Reagan kanë deklaruar se kishin parë objekte fluturuese të paidentifikuara përpara se të merrnin detyrën si presidentë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.