E shtunë, 21 Nëntor 2026 Fat i Hidhur deri në 16:30 Në vijim ora 16:30: Takohemi N'vizion Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 1 sekondë më parë
Politikë

Bashkia e Tiranës i përgjigjet Ramës: Dënojmë ndërhyrjet politike, emërimet dhe shkarkimet nuk bëhen sipas preferencave personale

Bashkia e Tiranës ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku paralajmëroi se do të ketë ndëshkim politik për drejtuesit e administratës bashkiake që, sipas tij, zbatojnë porosi për largimin e punonjësve nga puna për motive politike.

Në një deklaratë për shtyp, Bashkia e Tiranës dënon atë që e cilëson si ndërhyrje politike të kryeministrit në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të bashkisë, si dhe presionin publik ndaj drejtuesve të administratës.

Bashkia thekson se nuk është institucion në varësi personale të kryeministrit dhe se autonomia e saj garantohet nga Kushtetuta dhe ligji për vetëqeverisjen vendore.

Në reagim nënvizohet se emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen në përputhje me ligjin dhe jo sipas preferencave personale.

Reklamë

Më tej, Bashkia e Tiranës shprehet se deklaratat e fundit ngrenë shqetësimin se masa e sigurisë ndaj kryetarit të zgjedhur, Erion Veliaj, po përdoret për të dobësuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi institucionin.

Në përfundim, Bashkia kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e autonomisë vendore, duke theksuar se institucioni u përket qytetarëve të Tiranës dhe jo preferencave personale të kryeministrit.

Reagimi i plotë i bashkisë së Tiranës

Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.

Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.

Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale.

Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioz se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë.

Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës.

Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues.

Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit dhe do i shërbejë deri në fundit zgjedhësve të saj.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.