Bashkia e Tiranës i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama pas deklaratave të tij për administratën bashkiake dhe pretendimeve se punonjësit shkarkohen kur nuk bëjnë “like” dhe “share” në rrjetet sociale për kryebashkiakun Erion Veliaj.
Në reagimin e saj për mediat, institucioni e konsideron këtë si një ndërhyrje politike të kryeministrit në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Tiranës, si dhe si presion publik mbi drejtuesit e administratës. Sipas Bashkisë, vendimet për emërime dhe shkarkime në administratë merren në përputhje me ligjin dhe jo sipas preferencave personale.
Të lidhura
None found
Në komunikatën për shtyp thuhet se Bashkia e Tiranës nuk është një institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe nga ligji nr. 139/2015.
Më tej theksohet se emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, dhe jo sipas preferencave personale.
Bashkia e Tiranës paralajmëron se deklaratat dhe presionet e fundit janë vazhdim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioze, sepse masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po përdoret për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë.
Sipas saj, asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës.
Bashkia e Tiranës kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues. Ajo u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit, dhe do t’u shërbejë deri në fund zgjedhësve të saj.







