Shkrimtarja Rovena Rrozhani vjen me librin e saj më të ri, “Kuq e zi”, ku përmes poezive, lojërave dhe kurioziteteve historike i afron fëmijët me gjuhën shqipe dhe historinë e Pavarësisë. Botimi, i shkruar për fëmijët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, u prezantua në një takim të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), që mblodhi fëmijë dhe të rritur në sallën e Auditoriumit pranë Muzeut Arkivor të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA).
Duke vlerësuar shkrimtaren Rovena Rrozhani si një emër tashmë të konfirmuar dhe të vlerësuar drejtoresha e QKLL-së, Arta Marku vuri theksin në tematikën e librit, « të lidhur fort me Nëntorin shqiptar, letërsinë që e shndërron historinë në xhevahir dhe vendin që "ruan" kohën » sikurse Muzeu Arkivor ku dhe u mbajt takimi.
Drejtori i DPA-së, Auron Rrokaj mirëpriti të pranishmit duke theksuar rëndësinë e librave dhe dokumenteve arkivore në edukimin e brezit të ri,
E pranishme në takim, shkrimtarja e njohur Adelina Mamaqi e cilësoi botimin si një prurje të spikatur që zë një vend të rëndësishëm në fondin e letërsisë shqipe. Ajo vuri në pah origjinalitetin që Rovena sjell me librat e saj në të cilat trajton tema të rëndësishme të realiteti të sotëm.
Në mesazhin e tij, drejtuar të pranishmëve historiani Dritan Egro theksoi ndër të tjera se “Ky libёr i shkrimtares Rovena Rrozhani mund tё mbartet nё mendjet e tё rinjve shqiptarё qё kanё vendosur ta jetojnё jetёn e tyre kёtu, nё Shqipёri; por po aq ky libёr mund tё mbartet edhe nё njё valixhe nga njё i ri shqiptar qё jetёn e tij kёrkon ta ndёrtojё jashtё vendit dhe mes miqsh me kombёsi tё ndryshme."
Takimi mbi librin “Kuq e zi” të Rovena Rrozhanit, u organizua dhe moderua nga gazetarja Jerida Sakaj, e cila kishte përgatitur edhe një material audiovizual mbi librin që u pasua me një bashkëbisedim me autoren. "E shkrova këtë libër për të gjithë fëmijët shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve, për ata që udhëtojnë e kthehen, për ata që fillojnë jetën e tyre jashtë vendit, për ata që lindin në shtete të huaja dhe kanë filluar të mësojnë gjuhën shqipe. E shkrova për të ndarë emocione dhe informacione, mendime dhe shtysë për reflektime mbi gjuhën, pavarësinë dhe atë çfarë jemi sot, e shkrova për të kujtuar secilin prej nesh se kontributi ynë i përditshëm për atdheun nis nga gjuha." - tha shkrimtarja e cila e mbylli fjalën e saj me një mesazh për fëmijët: "Sado të njohur të bëheni kur të rriteni, kudo që të shkoni, rrënjët do të jenë pika juaj më e fortë".
Mbrëmja u bë më emocionuese nga interpretimet e bukura që nxënës nga shkolla të ndryshme kishin zgjedhur nga libri "Kuq e zi". Një prej vjershave të librit, e shndërruar në këngë, i dha energji takimit, po aq sa pyetjet e autores, të cilat i vunë në lëvizje të pranishmit për të gjetur përgjigjet.
Takimi mbi librin “Kuq e zi”, në vetvete një rikthim në kohë, u mbyll me vizitën në Muzeun Arkivor.
Libri përmban 15 poezi, që sjellin për fëmijët momente historike, atmosferën festive të Pavarësisë, por edhe tema që nxisin reflektimin mbi gjuhën, identitetin dhe atdheun. Poezitë shoqërohen me 15 lojëra dhe aktivitete, përmes të cilave leximi bëhet edhe argëtues, edhe edukativ. Një tjetër pjesë shumë e rëndësishme e librit janë 20 grimca historike dhe kuriozitete mbi Pavarësinë, gjuhën shqipe, përpjekjet për hapjen dhe zhvillimin e shkollës shqipe, si dhe mbi jetën e Ismail Qemalit. Në disa raste, këto grimca historike shoqërohen me fotografi dhe dokumente arkivore, duke u dhënë fëmijëve mundësinë të njihen jo vetëm me letërsinë dhe historinë, por edhe me gjurmët dokumentare të së kaluarës. shkrimtari dhe kritiku i njohur i letërsisë për fëmijë shkruan “Shkrimtarja zgjedh një mënyrë tërheqëse për t'iu afruar fëmijës: poezinë, lojën, pyetjen, fotografinë dhe zbulimin. Kjo është e rëndësishme, sepse atdhedashuria nuk duhet t'i imponohet fëmijës si një formulë. Ajo duhet të kultivohet përmes njohjes, përjetimit dhe dashurisë. Flamuri na mëson për historinë, gjuha na mëson të ruajmë identitetin, ndërsa dashuria për Atdheun na mëson të mos harrojmë kurrë se kush jemi. Libri "Kuq e Zi" meriton të lexohet edhe si një përpjekje për të mbjellë te brezi i ri dashurinë për historinë, flamurin dhe gjuhën shqipe. Dhe kjo është meritë e vlertë e shkrimtares së talentuar Rovena Rrozhani.”







Komente
Komento