Gjashtë persona, mes tyre katër shqiptarë, janë arrestuar në Spanjë pas zbulimit të një ngarkese prej 303 kilogramësh kokainë në portin e Algecirasit, ndërsa drejtuesi kryesor i dyshuar i organizatës, i cili dyshohet se koordinonte trafikun nga burgu në Shqipëri, nuk është arrestuar në këtë ndërhyrje, pasi ndodhet aktualisht duke vuajtur dënimin në vendin tonë.

Sipas hetimeve të Policisë Kombëtare spanjolle, grupi kriminal me bazë në Valencia kishte fshehur drogën në 28 kuti, mes produkteve me mish pule të ngrirë, në një kontejner të ardhur nga Brazili. Ndër të arrestuarit në Spanjë janë nipi i drejtuesit të dyshuar, i cili menaxhonte aktivitetin në terren, dhe krahu i tij i djathtë, që u kapën në një kafene pranë portit, ku prisnin të merrnin konfirmimin për mbërritjen e ngarkesës.

Sipas mediave spanjolle drejtuesi i dyshuar i organizatës, i identifikuar me inicialet I.Z., kishte arritur të koordinonte nga burgu në Shqipëri përgatitjen e dërgesës, ndërsa u mburrej bashkëpunëtorëve se paguante 10 mijë euro në muaj për të siguruar privilegje dhe kushte luksi në qeli.

Ai pretendonte se kishte në dispozicion telefona dhe madje edhe një kuzhinier personal, duke vijuar komunikimin me anëtarët e grupit përmes video-telefonatave. Hetuesit zbuluan se një person i dërguar posaçërisht për të mbikëqyrur shkarkimin kishte filmuar procesin me një kamera GoPro, ndërsa pamjet i ishin përcjellë drejtuesve të organizatës. Pagesa për personat e përfshirë në nxjerrjen e drogës ishte parashikuar të kryhej përmes kriptomonedhës USDT.

Sasia prej 303 kilogramësh kokainë ishte vetëm një provë për të testuar një rrugë të re trafikimi drejt Evropës. Sipas hetuesve, organizata synonte të transportonte përmes portit të Algecirasit deri në një ton kokainë në javë, ose rreth katër tonë në muaj, duke përdorur ngarkesa të ligjshme për të fshehur lëndën narkotike.

Grupi kishte diskutuar gjithashtu transportimin e sasive të mëdha nga Brazili, Kolumbia, Panamaja dhe Ekuadori. Drejtuesi i dyshuar në Shqipëri ishte arrestuar më parë në Spanjë dhe më pas ishte ekstraduar në vendin tonë, ndërsa hetimet e fundit çuan në arrestimin e gjashtë personave që dyshohet se vepronin në kuadër të rrjetit kriminal.