Përplasja brenda Partisë Socialiste për drejtimin e Bashkisë së Tiranës ka marrë përmasa të reja. Pas deklaratave dhe qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama lidhur me administrimin e bashkisë, ka ardhur kundërpërgjigjja e institucionit që drejtohet nga Erion Veliaj.
Me një deklarate për shtyp, Bashkia e Tiranës ka dënuar atë që i cilëson si ndërhyrje politike të kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të bashkisë, si dhe presionin publik ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.
Në deklaratë bëhet një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj Ramës, duke e lidhur qëndrimin e tij me masën e sigurisë personale ndaj Erion Veliajt.
‘Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioze se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë’, thuhet në reagim.
Deklarata për shtyp:
Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.
Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015. Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale.
Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioz se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë.
Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës. Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues. Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit dhe do i shërbejë deri në fundit zgjedhësve të saj.
© SYRI.net