Hakerët godasin FBI-në, depërtojnë në databazën sekrete të krimeve në SHBA

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21.11.2026, 17:03

Hakerët kanë depërtuar në databazën kombëtare të informacionit kriminal të FBI-së (NCIC), një sistem me rëndësi të veçantë për autoritetet amerikane, i cili përdoret për gjurmimin e personave në kërkim, monitorimin e personave të regjistruar si autorë të krimeve seksuale dhe kontrollet e historikut për blerjen e armëve.

Sipas raportimeve në mediat amerikane, FBI-ja ka nisur një hetim për të zbuluar se nga cila pikë është realizuar hyrja e paautorizuar në sistem.

NCIC është një databazë qendrore që lidh autoritetet federale, shtetërore dhe lokale në të gjithë SHBA-në, duke u mundësuar atyre të shkëmbejnë informacione mbi urdhër-arrestet, personat e arratisur, historikun kriminal dhe të dhëna të tjera që përdoren në hetime.

Megjithatë, mbetet ende e paqartë se çfarë informacioni është komprometuar gjatë ndërhyrjes dhe nëse hakerët kanë arritur të marrin të dhëna nga sistemi.

Presidenti Donald Trump ka reaguar shkurtimisht për incidentin në një intervistë për Fox News, duke thënë se sapo kishte marrë vesh për sulmin. "Nuk është mirë. Nuk më pëlqen kjo", u shpreh ai.

Ky është sulmi i dytë kibernetik i raportuar ndaj sistemeve të FBI-së brenda pak muajsh. Në shtator, grupi i hakerëve ShinyHunters depërtoi në portalin e rekrutimit të agjencisë dhe pretendoi se kishte vjedhur të dhëna sensitive të punonjësve aktualë dhe ish-punonjësve të FBI-së, përfshirë emra, adresa dhe informacione të tjera personale.

FBI-ja nuk ka dhënë ende një koment zyrtar mbi ndërhyrjen e fundit, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar përmasat e saj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit