Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka mohuar pretendimin e ushtrisë iraniane se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin qëlluar me raketë një avion luftarak amerikan F-16 mbi Gjirin Persik, mbrëmjen e së premtes, duke e dëmtuar atë dhe duke e detyruar të ulej.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, CENTCOM tha: “Të gjithë avionët luftarakë amerikanë në Lindjen e Mesme janë të sigurt dhe janë nën kontrollin tonë”.
Marina iraniane pretendon se një cisternë nafte ka marrë flakë pasi ka goditur një minë detare në një zonë të kufizuar në lindje të Ngushticës së Hormuzit. Ndërkohë, agjencia britanike e sigurisë detare njofton se dy cisterna nafte janë goditur nga “predha të panjohura”, në veri dhe në lindje të Khasabit, në Oman.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) deklarojnë se kanë rrëzuar dy dronë amerikanë, një MQ-9 dhe një MQ-1 Predator, në incidente të ndara mbi Ngushticën e Hormuzit.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani mund ta rihapë ngushticën nëse plotësohen kërkesat e tij, por përjashtoi mundësinë e transferimit jashtë vendit të rezervave të uraniumit të pasuruar në nivelin 60%.