Ministri i Jashtëm iranian: Ka argumente të arsyeshme për ndryshimin e doktrinës bërthamore
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, thotë se ka argumente “të arsyeshme” në favor të ndryshimit rrënjësor të doktrinës bërthamore të Iranit, pasi anëtarësimi në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) nuk e parandaloi sulmin ndaj objekteve bërthamore të vendit. Megjithatë, ai këmbënguli se qëndrimi zyrtar i Teheranit nuk ka ndryshuar.
Në një intervistë të publikuar më 21 nëntor në të përditshmen qeveritare, Iran, Araqchi e cilësoi debatin zgjeruar mes elitës politike iraniane për doktrinën bërthamore si “serioz dhe strategjik”, duke thënë se të dyja palët kanë argumente të forta.
Prej disa muajsh, zyrtarë të lartë të sigurisë dhe ligjvënës të linjës së ashpër po bëjnë thirrje haptazi që Irani jo vetëm të tërhiqet nga NPT-ja, por edhe të zhvillojë kapacitete bërthamore për parandalim.
NPT-ja, që hyri në fuqi më 1970, synon të parandalojë përhapjen e armëve bërthamore, duke nxitur njëkohësisht përdorimin paqësor të energjisë bërthamore nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
Si shtet anëtar që nuk zotëron armë bërthamore, Irani është ligjërisht i detyruar të mos prodhojë dhe as të sigurojë armë të tilla. Megjithatë, ai gëzon të drejtën për ta zhvilluar energjinë bërthamore për qëllime paqësore.
Sipas Araqchit, përkrahësit e ndryshimit të doktrinës bërthamore të Iranit argumentojnë se anëtarësimi në NPT, masat mbikëqyrëse të IAEA-së dhe mekanizmat e tjerë të mbikëqyrjes nuk i parandaluan sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane. Megjithatë, ai shtoi se largimi nga kuadri i tanishëm “nuk do të kalonte pa pasoja të ndërlikuara”.
“Deri në këtë moment, doktrina jonë nuk ka ndryshuar dhe qëndrimet tona zyrtare mbeten të njëjta”, tha Araqchi.
I pyetur nëse Kina dhe Rusia do ta mbështesnin ndryshimin e doktrinës bërthamore të Iranit, Araqchi tha se ato “kanë pikëpamje të kundërta”. Megjithatë, nuk është e qartë nëse ai nënkuptonte se të dyja vendet kundërshtojnë ndryshimin e politikës iraniane, apo se kanë qëndrime të ndryshme nga njëra-tjetra.
Sa i përket pasurimit të uraniumit nga Irani, Araqchi tha se mund të gjendet një zgjidhje për këtë çështje, por materiali bërthamor nuk do të largohet nga vendi. Ai u bëri jehonë komenteve që i bëri në fillim të këtij muaji Mohsen Rezaei, sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.
Fati i rezervave të uraniumit të pasuruar është një nga çështjet më të paqarta në çfarëdo marrëveshje të mundshme mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat janë në luftë që nga fundi i shkurtit.
IAEA vlerëson se Irani disponon 440.9 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60 për qind, që është vetëm një hap teknik larg nivelit prej rreth 90 për qind që nevojitet për prodhimin e një arme bërthamore.
Në mars, drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, tha se besohet që më shumë se 200 kilogramë uranium ndodhen në tunelet e objektit bërthamor në Isfahan, ndërsa një pjesë tjetër gjendej në objektin e Natanzit. Të dyja këto objekte u goditën nga Shtetet e Bashkuara në qershor të vitit 2025.
Megjithatë, në shtator, agjencia bëri të ditur se kishte humbur gjurmët e këtyre rezervave më shumë se një vit më parë.




