Nga EuroNews
Një anije mallrash ruse është goditur nga dronët në Gjirin e Finlandës, duke pësuar dëmtime dhe duke shkaktuar zjarr në bord. Autoritetet finlandeze dhe ato ruse kanë konfirmuar incidentin, i cili ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në ujërat ndërkombëtare, në perëndim të ishullit Suursaari.
Sipas Ministrisë finlandeze të Mbrojtjes, Forcat e Mbrojtjes zbuluan sulmin, ndërsa Roja Bregdetare e Finlandës konfirmoi se anija Sparta II kishte pësuar dëmtime dhe se në bord kishte rënë zjarr.
Pas incidentit, anija ka devijuar nga kursi dhe ka përfunduar në ujërat territoriale finlandeze, në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës. Autoritetet kanë bërë të ditur se situata nuk përbën rrezik për trafikun e mjeteve të tjera detare.
Roja Bregdetare finlandeze njoftoi se ka marrë drejtimin e operacionit të shpëtimit dhe të kontrollit të ndotjes detare, ndërsa anija ndodhet në det të hapur, në jug të qytetit Loviisa.
‘Njësitë e shpëtimit ndodhen në vendngjarje. Ekuipazhi nuk është detyruar të braktisë anijen dhe deri tani nuk është konstatuar ndotje e mjedisit. Roja Bregdetare është e përgatitur të evakuojë personelin dhe të ndihmojë në shuarjen e zjarrit’, thuhet në njoftimin e autoriteteve finlandeze.
Ndërkohë, autoritetet ruse kanë dhënë detaje mbi sulmin. Guvernatori i rajonit të Leningradit, Aleksandr Drozdenko, deklaroi se anija ishte sulmuar nga dy dronë, ndërsa po udhëtonte drejt Kaliningradit.
Anija Sparta II është prej kohësh në listën e sanksioneve ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara shpallën masa ndëshkuese ndaj saj në fillim të majit 2022, pak më shumë se dy muaj pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia. Edhe Ukraina ka vendosur sanksione ndaj kësaj anijeje.
Kryeministri finlandez, Petteri Orpo, e cilësoi incidentin si një tjetër dëshmi të ndikimit të luftës në Ukrainë përtej kufijve të saj.
‘Lufta në Ukrainë po përhapet edhe në rajonet tona fqinje’, u shpreh Orpo, duke shtuar se Ukraina ka të drejtë të kundërpërgjigjet ndaj agresorit.
Incidenti është shoqëruar edhe me një tjetër zhvillim shqetësues. Ministria finlandeze e Mbrojtjes njoftoi se një helikopter rus dyshohet se ka shkelur hapësirën ajrore të Finlandës pasditen e së shtunës, në zonën bregdetare pranë Loviisa.
After likely having been attacked by 🇺🇦 drones in the Gulf of Finland a sanctioned 🇷🇺 ship often used for military transports is on fire and drifting into 🇫🇮 territorial waters. A 🇷🇺 helicopter has violated 🇫🇮 airspace. This can quickly become very tricky. https://t.co/CU5D3nueLB
Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Häkkänen, deklaroi se shkelja e dyshuar mund të ketë lidhje me operacionet e shpëtimit ose të monitorimit të anijes së dëmtuar në Gjirin e Finlandës.
‘Situata po trajtohet nga Forcat e Mbrojtjes dhe Roja Bregdetare në bashkëpunim me autoritetet e tjera’, u shpreh ai.
Gjiri i Finlandës ka rëndësi strategjike për Rusinë, pasi përmes tij Shën Petersburgu lidhet me pjesën tjetër të Detit Baltik.
Ngjarja vjen një ditë pas njoftimit të autoriteteve polake për rrëzimin e dy raketave ruse dhe një droni me motor reaktiv në territorin e Polonisë, ndërsa në vend po zhvilloheshin stërvitje ushtarake të forcave aleate. Incidentet kanë shtuar vëmendjen ndaj sigurisë në krahun lindor të NATO-s.
© SYRI.net