Urban Gen/ E refuzuan në lice, e duartrokitën si legjendë: Vaçe Zela dhe paradoksi i meritokracisë

21/11/2026 18:15

Një zë që ngriti publikun në këmbë, por që dikur nuk arriti të bindte një komision vlerësimi.

Historia e Vaçe Zelës u rikthye në qendër të debatit në Urban Gen, duke ngritur një pyetje që mbetet aktuale: A mjafton talenti për të fituar vendin që meriton?

Gjatë emisionit, moderatori Kristi Lamaj solli një fragment nga dokumentari i Top Channel kushtuar këngëtares së madhe shqiptare. Vaçe Zela nuk u pranua nga komisioni i Liceut Artistik. Një vendim që, përballë karrierës së saj të mëvonshme, tingëllon paradoksal dhe turpërues për atë komision vlerësimi.

Në fragmentin dokumentar, artistja kujtonte edhe një koncert në Norvegji, ku publiku nuk e njihte emrin dhe talentin  e saj. Ajo në atë koncert, pasi kishte marrë këngën vetëm atë pasdite, në skenë harroi vijimin e tekstit. Por në vend të heshtjes, erdhi një reagim i jashtëzakonshëm,  publiku u ngrit në këmbë dhe këndoi bashkë me të.

Moderatori Kristi Lamaj solli në vëmendje kontrastin mes refuzimit të hershëm dhe vlerësimit që Vaçe Zela fitoi më pas, si një nga zërat më të mëdhenj të muzikës shqiptare, me 12 çmime të para në Festivalin e Këngës.

Historia hapi një diskutim më të gjerë: sa talente mund të mbeten të pazbuluara kur gjykimi nuk është objektiv. Dhe sa të rinj sot ndihen të detyruar të provojnë vlerën e tyre përtej diplomave, konkurseve dhe dyerve që nuk hapen.

Rasti i Vaçe Zelës nuk provon i vetëm arsyet e vendimit të komisionit, por shërben si një kujtesë e fuqishme se një refuzim nuk e përcakton domosdoshmërisht vlerën e një njeriu.

Top Channel