Milosh Duriçkoviç, 56 vjeç, është vrarë mëngjesin e kësaj të shtune në lagjen Bajice të Cetinjes, në Mal të Zi.
Ai njihej nga autoritetet malazeze si pjesëtar i grupit kriminal Shkaljari, ndërsa emri i tij është përmendur ndër vite në disa çështje të rënda të krimit të organizuar dhe në përplasjet mes klaneve kriminale malazeze.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Policisë, shërbimi i policisë në Cetinje u informua në orët e mëngjesit nga një qytetar, i cili kishte gjetur trupin e pajetë të një personi në zonën e Bajices.
Policia sqaroi se nuk kishte marrë më parë njoftim për të shtëna me armë zjarri. Vetëm pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët konstatuan se 56-vjeçari ishte vrarë me armë zjarri.
Pas konstatimit të vrasjes, policia vendosi bllokadë në zonën përreth dhe në disa akse rrugore, ndërsa nisi kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Hetimet po zhvillohen në koordinim me prokurorin e shtetit pranë Prokurorisë së Lartë në Podgoricë. Deri tani nuk janë bërë publike të dhëna për autorin e dyshuar apo motivin e ekzekutimit.
Emri i Duriçkoviç është përmendur në raportimet për konfliktet mes grupeve kriminale të Malit të Zi, ndërsa edhe familja e tij është goditur nga vrasje të lidhura me përplasjet kriminale.
Vëllai i tij, Radomir Duriçkoviç, u vra më 10 tetor 2016 në Cetinje. Ndërsa kushëriri i tij, Goran Duriçkoviç, u ekzekutua në tetor të vitit 2015 në Budva, në ambientet e një lokali.
Mediat malazeze dhe ato rajonale i kanë lidhur këto ngjarje me konfliktet mes klaneve kriminale.

Edhe Milosh Duriçkoviç kishte qenë objektiv i një atentati. Më 12 maj 2017, ai u plagos në lagjen Vozdovac të Beogradit, ku një plumb e kapi në qafë, ndërsa ndodhej në tarracën e banesës.
Ai mbijetoi. Në atë kohë, policia serbe hetoi edhe mundësinë që sulmi të kishte lidhje me konfliktin mes klaneve kriminale malazeze.
Në maj të vitit 2020, emri i tij u përfshi në një hetim të Prokurorisë Speciale të Shtetit në Mal të Zi. Sipas aktakuzës, Duriçkoviç, së bashku me Savo Lipovinën dhe Ivan Jovanoviç, dyshohej se kishin krijuar një organizatë kriminale me synimin për të trafikuar drogë me vlerë rreth pesë milionë euro.
Prokuroria pretendonte se grupi kishte siguruar një furnizues të një sasie të madhe narkotikësh dhe një blerës nga Sllovenia.
Sipas akuzës, anëtarët kishin role të përcaktuara në sigurimin, shitjen dhe magazinimin e drogës, ndërsa Duriçkoviç konsiderohej si një prej organizatorëve. Të gjithë të pandehurit i mohuan akuzat.
Më 22 shtator 2026, Gjykata e Lartë (Viši sud) në Podgoricë dha vendimin e shkallës së parë, duke i shpallur të pafajshëm Đuriçkoviç, Lipovinën, Jovanoviçin dhe të pandehurit e tjerë për akuzat që lidhen me krijimin e organizatës kriminale dhe planifikimin e trafikimit të drogës. Gjykata vlerësoi se provat e administruara nuk vërtetuan pretendimet e aktakuzës.
Në të njëjtin proces, akuza ndaj Duriçkoviç për mbajtje të paligjshme të armëve dhe lëndëve shpërthyese u pushua për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.
Emri i tij ishte përmendur gjithashtu në hetimet për vrasjen e Šćepan Roganoviç, i ekzekutuar në shkurt të vitit 2020 në Herceg Novi. Sipas raportimeve të mëparshme mediatike, Duriçkoviç ishte arrestuar në kuadër të hetimeve dhe më pas kishte marrë statusin e dëshmitarit bashkëpunues.
Vrasja e tij në Bajice vjen në pas një kalvari të gjatë përplasjesh mes grupeve kriminale në Mal të Zi. Megjithatë, deri në këto momente, autoritetet nuk kanë dhënë asnjë konfirmim se ekzekutimi i sotëm lidhet me ndonjë konflikt të mëparshëm mes klaneve.
© SYRI.net