Jeta jashtëtokësore mund të ketë qenë më pranë Tokës nga sa është imagjinuar deri më sot. Një studim i ri, i mbështetur në të dhënat e NASA-s, sugjeron se planeti xhuxh Ceres, që ndodhet në brezin e asteroidëve mes Marsit dhe Jupiterit, mund të ketë pasur në të kaluarën kushte të përshtatshme për zhvillimin e formave të jetës.
Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore “Science Advances”, identifikon një burim të mundshëm energjie kimike në brendësi të këtij trupi qiellor. Megjithëse nuk ka prova që vërtetojnë ekzistencën e organizmave të gjallë, studiuesit vlerësojnë se Ceres mund të ketë pasur tre përbërës të rëndësishëm për jetën: ujë, molekula organike dhe energji.
Të dhënat kryesore u mblodhën nga misioni “Dawn” i NASA-s, i cili studioi planetin xhuxh nga orbita në periudhën 2015-2018. Gjatë këtij misioni u zbuluan zona të ndritshme në sipërfaqe, të cilat rezultuan të ishin depozitime kripe, të krijuara nga uji i kripur që dikur ngrihej nga nëntoka. Shkencëtarët dyshojnë se nën sipërfaqe ka ekzistuar një oqean me ujë të kripur dhe përbërje organike.
Ekipi kërkimor, i drejtuar nga Sam Courville, doktorant në Universitetin Shtetëror të Arizonës, përdori modele termike dhe kimike për të rindërtuar historinë e brendshme të Ceres. Simulimet tregojnë se, rreth 2.5 deri në 4 miliardë vjet më parë, shpërbërja e elementeve radioaktive në bërthamën shkëmbore mund të ketë prodhuar nxehtësi të mjaftueshme për të vënë në lëvizje lëngje hidrotermale drejt oqeanit nëntokësor. Këto lëngje përmbanin ujë të nxehtë, gazra të tretur dhe minerale.
Një proces i ngjashëm ndodh edhe në Tokë, pranë burimeve hidrotermale në fund të oqeaneve. Në këto mjedise, disa mikroorganizma marrin energjinë e nevojshme për të jetuar përmes reaksioneve kimike, pa pasur nevojë për dritën e Diellit. Studiuesit mendojnë se kushte të tilla mund të kenë ekzistuar dikur edhe në Ceres.
“Në Tokë, kur uji i nxehtë nga thellësitë përzihet me ujin e oqeanit, rezultati shpesh është një burim i pasur energjie kimike për mikroorganizmat. Prandaj, do të kishte pasoja të rëndësishme nëse do të përcaktonim nëse oqeani i Ceres ka pasur në të kaluarën furnizim me lëngje hidrotermale”, shpjegoi Courville.
Megjithatë, mundësia që jeta të ekzistojë ende sot në këtë planet xhuxh konsiderohet e vogël. Ceres është tashmë një botë e ngrirë, ku temperaturat në sipërfaqe mund të arrijnë deri në minus 63 gradë Celsius. Burimi i brendshëm i nxehtësisë është shuar prej kohësh, ndërsa uji i lëngshëm që mund të ketë mbetur mendohet të jetë i izoluar në formën e shëllirës, nën shtresat e akullit.
Rëndësia e studimit nuk kufizohet vetëm te Ceres. Sipas studiuesve, edhe trupa të tjerë të vegjël e të akullt në Sistemin Diellor, si hënat, asteroidët dhe planetët e tjerë xhuxhë, mund të kenë pasur në të kaluarën kushte të ngjashme. Kjo ngre mundësinë që mjediset potencialisht të përshtatshme për jetë të kenë qenë shumë më të përhapura në Sistemin Diellor të hershëm nga sa mendohej deri tani.
