UEFA Development U15: Shqipëria barazon ndaj Polonisë. Ndeshja e fundit në grup do të jetë të martën

21 Nëntor 2026
18:21
Telesport
back button

Shqipëria U15 ka barazuar 1-1 ndaj Polonisë U15 në ndeshjen e dytë të UEFA Development U15, në sfidën e luajtur në “Shtëpinë e Futbollit”. Skuadra kuqezi zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë, por nuk arriti të marrë maksimumin ndaj një kundërshtari me cilësi.

Trajneri Bledar Borova e nisi ndeshjen me këtë formacion: Genis Mlloja, Rei Muca, Gabriel Haka, Ergi Syziu, Uvejs Kadriu, Alessio Paloka, Rogers Mecja, Brian Hykollari, Ersan Senko, Gerald Qirjazi dhe Rouen Dani. Ndërkohë, gjatë pjesës së dytë u aktivizuan edhe Patrik Shurdhaqi, Deon Fehimi dhe Damian Qatipi.

Pjesa e parë ishte mjaft e mirë për kuqezinjtë, të cilët krijuan disa raste për shënim, por nuk arritën t’i konkretizonin. Nga ana tjetër, polakët shënuan në rastin e parë të rrezikshëm që krijuan, në minutën e 22-të, me Bartłomiej Cząstka. Pavarësisht përpjekjeve të Shqipërisë për të gjetur golin e barazimit, rezultati nuk ndryshoi deri në përfundimin e pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë, këmbëngulja e kuqezinjve u shpërblye, teksa Mecja realizoi golin e barazimit. Skuadra e drejtuar nga Bledar Borova vijoi të kërkonte golin e fitores, por nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës për herë të dytë. Pas përfundimit të 90 minutave në barazim, Polonia u tregua më e saktë në gjuajtjet nga pika e bardhë e penalltisë duke triumfuar 4-1, e duke marrë dy pikë nga kjo përballje.

Në ndeshjen tjetër të turneut, Irlanda e Veriut U15 fitoi 6-0 ndaj Ishujve Faroe U15, duke u ngjitur në kuotën e 3 pikëve, një më pak se Shqipëria dhe Polonia.

Ndeshja e fundit për Shqipërinë U15 në këtë turne do të luhet të martën, në orën 14:00, sërish në “Shtëpinë e Futbollit”, ndaj Ishujve Faroe U15 e do të transmetohet po në FSHF TV.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit