Një makinë elektrike në Kinë ka bërë një roje sigurie të mbetet i habitur, pasi është filmuar duke tentuar të parkohet vazhdimisht, pa pasur askënd në timon.
Ngjarja ka ndodhur në orën 03:00 të mëngjesit, në një garazh nëntokësor në provincën Anhui. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar automjetin duke lëvizur vazhdimisht para dhe mbrapa, duke u përpjekur të pozicionohej në një vend parkimi.
Zhurmat kanë tërhequr vëmendjen e rojës së sigurisë, i cili ka shkuar të kontrollojë se çfarë po ndodhte, por është habitur kur ka parë se brenda makinës nuk ndodhej askush.
Surpriza ka qenë edhe më e madhe për pronarin, i cili mëngjesin tjetër ka kontrolluar historikun e automjetit dhe ka zbuluar se funksioni i parkimit automatik ishte aktivizuar plot 868 herë gjatë natës.
Në fund, makina është ndalur pranë një automjeti tjetër të parkuar, por ende nuk dihet me siguri se çfarë e shkaktoi këtë sjellje të pazakontë.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, ngjarja mund të ketë lidhje me një konkurs të organizuar nga Huawei, ku pronarët e automjeteve shpërbleheshin për përdorimin e funksioneve inteligjente të parkimit. Megjithatë, një defekt në sistem apo aktivizimi i përsëritur nga distanca mbeten gjithashtu shpjegime të mundshme.
Pamjet janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime dhe komente humoristike nga përdoruesit.