Ermal ‘Raketa’ mbron Ron Yeffet-in: S’merrem me përgjimet, është i mirëpritur në Shqipëri
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka folur për herë të parë publikisht lidhur me sipërmarrësin izraelit Ron Yeffet, emri i të cilit është përmendur në përgjime, si dhe për raportet e tij me kompanitë e lidhura me biznesmenin.
I pyetur në emisionin “Breaking”, se çfarë mendimi ka për Yeffet dhe si i sheh akuzat e ngritura ndaj tij, Nufi u shpreh se nuk merret me përmbajtjen e përgjimeve. Sipas ministrit, përmendja e një personi në biseda të përgjuara nuk përbën automatikisht provë të bashkëfajësisë.
“Unë nuk merrem me përgjimet e dynjasë. Për më tepër, fakti që përmendesh në përgjime nuk të bën bashkëfajtor, me gjithë dëshirën që dikush të të bëjë fajtor”, deklaroi Nufi.
I pyetur nëse e njeh personalisht sipërmarrësin izraelit, ministri nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por kundërshtoi atë që e cilësoi si linçim të individëve për shkak të përkatësisë personale apo kombëtare.
“Linçimi i çdokujt mbi baza personale, përkatësie, kombëtare është i gabuar”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës, Nufi u pyet gjithashtu për besueshmërinë e dy kompanive të lidhura me Ron Yeffet dhe cilësinë e punës së tyre. Ministri iu përgjigj se produktet e këtyre kompanive përdoren nga Forcat e Armatosura, por nuk dha hollësi të tjera për marrëdhënien me to.
“Produktet i kemi në përdorim në Forcat e Armatosura”, tha ministri.
Nufi theksoi gjithashtu se çdo sipërmarrës që dëshiron të investojë në Shqipëri është i mirëpritur, për sa kohë aktiviteti i tij zhvillohet në përputhje me ligjin, pavarësisht emrit apo kombësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



