Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare Paolo Bulgari, një prej figurave më të njohura të argjendarisë italiane, i cili kontribuoi në shndërrimin e një biznesi familjar në një prej markave më prestigjioze të luksit në botë.
Lajmi u bë i ditur nga familja e tij, e cila në një deklaratë vlerësoi humanizmin dhe talentin sipërmarrës të njeriut që, sipas tyre, e përfaqësoi Italinë në mbarë botën.
Historia e familjes Bulgari nis në vitin 1884, kur gjyshi i tij, argjendari grek Sotirio Bulgari, hapi dyqanin e parë në Romë. Në vitin 1905, familja inauguroi butikun historik në Via Condotti, i cili u kthye në një pikë referimi për personalitetet e njohura të artit, kinemasë dhe familjet mbretërore.
Paolo iu bashkua biznesit familjar në vitin 1960 dhe, vite më vonë, do të bëhej një prej njerëzve kryesorë që e çuan markën përtej kufijve të Italisë. Në vitin 1984 mori drejtimin e kompanisë, duke e kthyer Bulgari-n në një emër të njohur jo vetëm për bizhuteritë, por edhe për orët, parfumet dhe aksesorët luksozë.
Nën drejtimin e tij krijues, marka u dallua për bizhuteritë me gurë shumëngjyrësh dhe për frymëzimin nga arti dhe arkitektura e Romës. Krijimet e shtëpisë italiane u bënë pjesë e historisë së yjeve të Hollywood-it, ndër klientët e saj ishin Elizabeth Taylor dhe Marilyn Monroe.
Në vitin 2011, familja shiti kompaninë te grupi francez LVMH, ndërsa marka vijoi të ruante identitetin e saj italian.
Përtej biznesit, Paolo Bulagri u angazhua edhe në jetën publike dhe në mbështetjen e komunitetit. Në vitin 2014, kontribuoi me 1.5 milionë euro për restaurimin e Shkallëve Spanjolle në Romë, një prej monumenteve më të vizituara të qytetit. Më vonë, përmes fondacionit që mbante emrin e tij, mbështeti projekte për fëmijët dhe të rinjtë në zonat periferike të kryeqytetit italian.










