Trump: Nuk do të lejoj që Irani të ketë armë bërthamore, pavarësisht kush drejton SHBA-në

21 Nëntor 2026 | 20:02

Presidenti amerikan Donald Trump deklaron se synon të arrijë një marrëveshje afatgjatë me Iranin, e cila të mbetet në fuqi edhe pas përfundimit të mandatit të tij dhe të mos ndryshojë pavarësisht se kush do të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë në të ardhmen.

Në një intervistë për Fox News, Trump tha se marrëveshja që synon të arrijë me Teheranin duhet të jetë e qëndrueshme dhe të garantojë që Irani të mos zotërojë armë bërthamore, edhe nëse në të ardhmen Shtetet e Bashkuara do të drejtohen nga një president që ai e cilësoi të paaftë.

“Po sigurohem që edhe nëse pas katër, 15 apo 20 vitesh kemi një president të paaftë, marrëveshja që do të arrij do të jetë e përhershme. Nuk do të lejoj askënd që t’i lejojë ata të kenë armë bërthamore”, deklaroi Trump.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se udhëheqja aktuale iraniane mund të jetë më e arsyeshme se ajo e mëparshmja, por mbetet e vështirë për t’u negociuar.

“Këta njerëz ndoshta janë më të arsyeshëm, por janë shumë, shumë të vështirë. Ne arrijmë një marrëveshje dhe ata e shkelin atë të nesërmen”, tha presidenti amerikan.

Trump pretendoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë larguar tashmë dy herë udhëheqjen iraniane dhe se aktualisht po përballen me një grup të tretë drejtuesish, duke e përshkruar këtë si një ndryshim të regjimit në praktikë.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të pasigurta.

Një ditë më parë, Trump deklaroi se Irani dëshiron një marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve, por deri tani nuk ka paraqitur kushte që ai i konsideron të pranueshme.

“Ne duam një marrëveshje të vërtetë, jo një marrëveshje të rreme”, u shpreh ai gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani mbetet i hapur për diplomacinë, por kërkon garanci se çdo marrëveshje me Uashingtonin do të parandalojë një konflikt të ri. Ai ka theksuar gjithashtu se Irani nuk pranon largimin e rezervave të uraniumit të pasuruar nga territori i tij, duke e cilësuar këtë një vijë të kuqe në negociata.

Ndërkohë, tensionet mbeten të larta, ndërsa administrata amerikane vijon presionin ekonomik dhe bllokadën detare ndaj Iranit, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme diplomatike.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rutte nga Varshava: NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit polak

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit polak, pas incidentit me objektet fluturuese ruse...
19:12 | 21/11/2026

Ministri britanik i Mbrojtjes pritet nga Zelensky në Kiev: Putin, “vrasës gjakftohtë”

Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, e ka cilësuar presidentin rus Vladimir Putin si një “vrasës gjakftohtë”, gjatë takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në...
17:57 | 21/11/2026

Sisteme elektronike dhe raketa, Greqia negocion marrëveshje të reja armësh me Izraelin

Greqia dhe Izraeli po diskutojnë marrëveshje të reja bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, me një vlerë që mund të arrijë deri në 1 miliard euro....
17:46 | 21/11/2026