Një sasi prej 114.6 kilogramësh kokainë është sekuestruar nga autoritetet franceze, ndërsa në pranga ka përfunduar një shofer shqiptar 50-vjeçar.
Operacioni është zhvilluar gjatë natës mes 18 dhe 19 nëntorit, në pikën e pagesës së autostradës në Arles të Francës, ku shërbimet doganore kanë ndaluar për kontroll një kamion me targa italiane.
Sipas gazetës franceze “La Provence”, kamioni transportonte mallra për një rrjet të madh tregtar, kryesisht produkte ushqimore. Gjatë kontrollit, doganierët zbuluan një sasi të konsiderueshme kokaine të fshehur në mbajtësen e bobinave, një pjesë e automjetit që shërben për stabilizimin e ngarkesës.
Në total, autoritetet sekuestruan 114.6 kilogramë lëndë narkotike. Pas zbulimit, drejtuesi shqiptar u arrestua dhe iu dorëzua Zyrës Kundër Trafikut të Narkotikëve (OFAST) në Marsejë. Më pas, ai u vendos në paraburgim.
Gjatë marrjes në pyetje, 50-vjeçari ka mohuar përfshirjen në trafikimin e drogës, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për kokainën e fshehur në kamion dhe se ajo ishte vendosur aty pa dijeninë e tij.
Sipas raportimeve franceze, ai nuk rezulton të ketë precedentë penalë dhe nuk ka qenë më parë i njohur për drejtësinë franceze.
Shqiptari pritet të dalë më 24 nëntor përpara Gjykatës së Tarasconit, ku do të përballet me akuzat për mbajtje, transport dhe importim të lëndëve narkotike, si dhe për shkelje të legjislacionit doganor.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur origjinën e drogës dhe personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë trafik.