Shumica e fluturimeve të planifikuara në Aeroportin e Brukselit pritet të anulohen ditën e hënë, për shkak të një greve kombëtare në Belgjikë, ku do të marrin pjesë edhe punonjës të kontrollit të trafikut ajror.
Lajmi është bërë i ditur nga administrata e Aeroportit të Brukselit, e cila ka paralajmëruar për ndërprerje të konsiderueshme të operacioneve gjatë kësaj dite. Sipas njoftimit zyrtar, greva do të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin normal të aeroportit, duke detyruar anulimin e pjesës më të madhe të fluturimeve të programuara.
Të lidhura
None found
Përveç transportit ajror, do të ketë probleme edhe në transportin publik drejt dhe nga aeroporti, çka pritet të vështirësojë lëvizjen e udhëtarëve. Autoritetet e aeroportit u kanë bërë thirrje pasagjerëve të kontrollojnë paraprakisht statusin e fluturimeve të tyre dhe të kontaktojnë kompanitë ajrore për informacion mbi ndryshimet e mundshme në oraret e udhëtimit. Greva kombëtare në Belgjikë pritet të shkaktojë ndërprerje në disa sektorë, ndërsa transporti ajror dhe ai publik do të jenë ndër shërbimet më të prekura.








