Princesha e Uellsit rrëfen betejën me kancerin në dokumentarin e ri të BBC-së, nga kimioterapia te sfida ekstreme e tre maleve

Europë | 2 minuta më parë

Princesha e Uellsit, Catherine, rikthehet me një rrëfim të thellë dhe personal mbi përballjen e saj me kancerin në dokumentarin e ri të titulluar “Heal” (“Shëro”), i cili do të transmetohet në BBC One më 29 nëntor. Filmi 30-minutësh, i njoftuar nga Pallati Kensington dhe i prezantuar nga Kirsty Young, dokumenton jo vetëm sfidat fizike e emocionale të sëmundjes, por edhe përmbushjen prej saj të “Sfidës Kombëtare të Tre Majave” – ngjitjen e tre maleve më të larta në Skoci, Angli dhe Uells (Ben Nevis, Scafell Pike dhe Snowdon) brenda më pak se 24 orësh.

Në pamjet e para të publikuara nga dokumentari, Catherine reflekton hapur mbi gjurmët që lë sëmundja dhe procesi i rikuperimit.

“Kanceri të ndryshon. Të ndryshon trupin, të ndryshon fizikisht – por ka një pjesë shumë, shumë më të thellë të asaj që një diagnozë e kancerit ndryshon tek ty”, shprehet ajo, duke shtuar se “shërimi është një udhëtim” dhe se “shpesh është nëpërmjet dhimbjes që kuptojmë se ekziston një bukuri më e madhe që fshihet përtej kësaj”.

Përtej dimensionit sportiv të ngjitjes në lartësi prej mbi 3,000 metrash, filmi ndërthur dëshmi të pacientëve të tjerë të prekur nga kanceri dhe momente familjare të princeshës me Princin William dhe fëmijët e tyre. Duke vënë theksin te rëndësia e mbështetjes njerëzore, ajo deklaron: “Është e qartë se nuk jemi të destinuar t’i përballojmë sfidat e jetës vetëm”.

Dokumentari, ku si drejtor fotografie është angazhuar bashkëpunëtori i hershëm i familjes mbretërore, Will Warr, sjell edhe momente simbolike nga trajtimi i saj në Spitalin Mbretëror Marsden në Londër. Kur pacientët përfundojnë terapitë në këtë spital, ata bien simbolikisht një zile, një gjest që princesha pranon në një bisedë me vëllain e saj, James Middleton, se nuk e kishte kryer: “Nuk i kam rënë unë ziles”, thotë ajo, ndërsa vëllai i përgjigjet: “Ndoshta kjo është pikërisht ajo që po bën ti”, duke iu referuar sfidës së tre majave dhe realizimit të këtij dokumentari.

Catherine bëri publike diagnozën e kancerit në mars të vitit 2024 dhe në janar të vitit 2025 njoftoi se ndodhej në remision, duke nisur një rikthim gradual në angazhimet mbretërore – përfshirë udhëtimin e fundit me Princin William në Indi për ceremoninë e çmimeve Earthshot Prize.

Sipas drejtores së përmbajtjes në BBC, Kate Phillips, synohet që ky produksion “të ofrojë ngushëllim dhe mbështetje për ata që po përballen me sfidat e tyre shëndetësore”.

Pas transmetimit në Mbretërinë e Bashkuar, filmi do të shfaqet edhe në Shtetet e Bashkuara, Australi dhe Kanada, ndërsa të gjitha të ardhurat nga shpërndarja e tij do t’i dhurohen Organizatës Bamirëse për Kancerin Mbretëror Marsden.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme