Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar me sukses qitje me municion luftarak nga mortajat 120 milimetra, të integruara në automjetet e blinduara Vuran, në poligonin e Bizës në Shqipëri.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se këto kapacitete të reja po kontribuojnë në fuqizimin dhe modernizimin e FSK-së.


Sipas Maqedoncit, automjetet e blinduara Vuran janë të pajisura me sistemin e mortajës Alkar 120 mm, i cili ka mekanizëm automatik të drejtimit dhe mbushjes, si dhe sistem të kontrollit të zjarrit.

Një pjesë e këtyre automjeteve janë siguruar si donacion nga Republika e Turqisë, ndërsa pjesa tjetër është blerë përmes buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministri ka theksuar se modernizimi i armatimit dhe pajisjeve ushtarake, së bashku me përgatitjen profesionale të pjesëtarëve të FSK-së, po rrit kapacitetet operacionale të kësaj force.

Sipas tij, këto investime po e bëjnë FSK-në gjithnjë e më të fuqishme dhe më të përgatitur për përmbushjen e misionit të saj./Telegrafi/