11 të vrarë pas përplasjes së bandave në Meksikë, pas arrestimi të bosit të kartelit “El Chapo Isidro”
Të paktën 11 persona kanë humbur jetën pas një vale dhune në shtetin meksikan të Sinaloas, pas arrestimit të kreut të kartelit të drogës, Fausto Isidro Meza Flores, i njohur si “El Chapo Isidro”.
Autoritetet meksikane konfirmuan të shtunën se Meza Flores, i cili ishte në listën e 10 personave më të kërkuar nga FBI-ja, u kap dhe u transportua me avion drejt Mexico City.
Arrestimi erdhi pas një përplasjeje të ashpër me armë mes forcave meksikane dhe personave të armatosur të kartelit gjatë natës. Përleshjet shkaktuan panik te banorët e qytetit Guasave, ndërsa disa kamionë dhe biznese u përfshinë nga flakët.
Sipas Ministrisë meksikane të Mbrojtjes, gjatë operacionit mbetën të vrarë shtatë persona të dyshuar si pjesëtarë të kartelit dhe katër ushtarë meksikanë.
Kush është “El Chapo Isidro”?
Fausto Isidro Meza Flores ngjiti shkallët e hierarkisë kriminale deri në drejtimin e kartelit Beltrán Leyva dhe më pas krijoi organizatën e tij, të njohur si Meza-Flores Transnational Criminal Organization.
Shtetet e Bashkuara kishin ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që do të çonin në arrestimin e tij. Ai kërkohej për trafikimin e lëndëve narkotike drejt SHBA-së dhe mbajtjen e paligjshme të armëve të zjarrit.
Qeveria meksikane bëri të ditur se informacionet e inteligjencës nga administrata e presidentit Donald Trump ndihmuan në lokalizimin dhe kapjen e tij, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi bashkëpunimin mes autoriteteve të dy vendeve.
Meza Flores ishte gjithashtu një aleat i rëndësishëm i fraksionit “Los Mayos”, pjesë e kartelit Sinaloa, i cili është shpallur organizatë e huaj terroriste nga administrata Trump.
Frika për një valë të re dhune
Arrestimi i “El Chapo Isidro” konsiderohet një goditje për kartelin Sinaloa, i cili prej kohësh është përfshirë në një luftë të brendshme me një fraksion rival për kontrollin e shtetit verior të Meksikës.
Autoritetet amerikane dhe meksikane e kanë përshëndetur arrestimin si një sukses në luftën kundër krimit të organizuar.
Presidenti amerikan Donald Trump ka ushtruar vazhdimisht presion ndaj qeverisë së Meksikës për të intensifikuar luftën kundër karteleve të drogës.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se eliminimi ose arrestimi i drejtuesve të lartë të karteleve mund të shkaktojë një tjetër valë përplasjesh të përgjakshme, veçanërisht në një rajon ku fraksionet rivale po luftojnë për kontrollin e territorit dhe aktivitetet kriminale.




