Bora nuk i lë hapësirë Rahovecit 029, triumfon me rezultat të thellë

Bora ka shënuar fitore bindëse në udhëtim ndaj Rahovecit 029, duke triumfuar me rezultat 91:64 në ndeshjen e vlefshme për xhiron e dhjetë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja e zhvilluar të shtunën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma” nisi më mirë për skuadrën prishtinase, e cila e fitoi çerekun e parë me rezultat 24:13.
Rahoveci 029 reagoi në çerekun e dytë, të cilin e fitoi dhe arriti ta ngushtojë diferencën, por në pushim Bora vazhdoi të kishte epërsi prej tetë pikësh, 43:35.
Në dy çerekët e fundit, Bora e konfirmoi dominimin e saj, duke e rritur ndjeshëm epërsinë.
Mysafirët fituan çerekun e tretë 26:18, ndërsa në atë të fundit ishin edhe më bindës, me rezultat 22:11, për të siguruar triumfin me 27 pikë diferencë.
Laolu Oke ishte më i dalluari te Bora me 16 pikë, shtatë kërcime dhe dy asistime, ndërsa Rron Ukaj kontribuoi me 14 pikë, shtatë kërcime dhe dy asistime.
Te Rahoveci 029 u veçua Ankit Choudhary me 16 pikë, katër kërcime dhe pesë asistime.
Pas kësaj fitoreje, Bora ka bilanc prej tetë fitoreve dhe dy humbjeve, ndërsa Rahoveci 029 regjistron disfatën e tetë, krahas dy fitoreve të arritura këtë edicion./Telegrafi/






































