Sa fitojnë supermarketet në krahasim me rajonin, a ka abuzime me çmimet?!

Në vitin 2013, çmimet e ushqimeve në vend ishin sa 66.5% e mesatares europiane. Shtrenjtimi ishte i shpejtë pas pandemisë, duke iu afruar nivelit prej 100% në 2024 dhe duke e tejkaluar në vitin 2025-n. a ka abuzime me çmimet, apo modeli ekonomik që po ndrysh prodhimin vendas po na shtrenjton jetesën çdo vit e më shumë?!
Ornela Liperi
Çmimet e ushqimeve, për herë të parë në vitin 2025, tejkaluan mesataren e BE-së, (102.9%), duke qenë 3% më të shtrenjta.
Sidomos në supermarkete, për një pjesë të produkteve ushqimore, çmimet janë afruar ose kanë arritur nivelet e vendeve të Bashkimit Europian, ndonëse këto ekonomi kanë paga dhe të ardhura për frymë shumë më të larta se Shqipëria.
Krahasimi bëhet edhe më i fortë kur merret parasysh fuqia blerëse e konsumatorit vendas, i cili përballet me çmime europiane për një pjesë të shportës, por me të ardhura dukshëm më të ulëta.
Në vitin 2013, çmimet e ushqimeve në vend ishin sa 66.5% e mesatares europiane. Shtrenjtimi ishte i shpejtë pas pandemisë, duke iu afruar nivelit prej 100% në 2024 dhe duke e tejkaluar në vitin 2025-n.

Burimi: Eurostat
Çmimet janë më të larta edhe në krahasim me vendet e tjera të rajonit, duke ia kaluar dhe Serbisë, që historikisht kishte qenë më e shtrenjta.

Burimi: Eurostat
Të dhënat nga bilancet e rrjeteve kryesore të supermarketeve, drejt të cilave është kanalizuar tregtia me pakicë, tregojnë se problematika me çmimet e shtrenjta shkon përtej tyre.
Zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve operojnë me norma relativisht të ulëta fitimi, rreth 1-6%, të ndikuara si nga lloji i aktivitetit, niveli i lartë i informalitetit, marzhet e shitblerjes dhe kostot e larta të administrimit.
Të ulëta janë normat dhe për kompanitë e tyre shpërndarëse. Vetëm një operator ka normë fitimi dyshifrore nga 9 më të mëdhenjtë në vend (përfshirë dhe dy rrjete të shpërndarjes).
Fitimi para taksave i këtyre 9 operatorëve ishte 3.8 miliardë lekë në 2025-n, në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm, pavarësisht lehtësimit që kanë pasur nga nënçmimi i euros, që i ka bërë produktet e tyre më të lira në import.
Për të njëjtën periudhë, të ardhurat e po këtyre operatorëve ishin 79 miliardë lekë, me rritje rreth 8% në raport me vitin 2024.
Operatorët e tregut e lidhin këtë me koston e lartë të transportit, mungesën e ekonomisë së shkallës, TVSH-në më të lartë se produktet ushqimore në rajon, taksat e ambalazhit apo dhe rritjen e pagave.
Një faktor kryesor është varësia nga importet, pasi produktet vendase janë të pakta dhe shpesh jokonkurruese në çmim, për shkak të kostove të larta të prodhimit.
Importuesit e produkteve ushqimore llogarisin se kostot e transportit, të cilat variojnë nga 6% në 8%, dhe detyrimet doganore, që sipas tyre arrijnë në 10–15%, së bashku me kostot e ambalazhimit, përfshirë kartonin, plastikën dhe letrën, shtojnë rreth 20% mbi çmimin e blerjes së produktit në import.
Ulja e parashikuar e TVSH-së për 54 produkte ushqimore nga 1 janari 2027 nga 20 në 6% pritet që të lehtësojë disa çmime të shportës bazë.
Mbi këtë çmim aplikohen më tej TVSH-ja prej 20%, e cila përballohet nga konsumatori final, si dhe norma e fitimit të biznesit, që sipas të dhënave të operatorëve të tregut varion nga 4% deri në 15% për supermarketet. Sipas këtyre përllogaritjeve, kostot dhe taksat, së bashku me normat e fitimit, mund ta rrisin çmimin final të produktit deri në 50% krahasuar me çmimin e blerjes në import.
“Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, kishte të ardhura të konsoliduara sipas të dhënave zyrtare, rreth 28.6 miliardë lekë, me zgjerim të lehtë prej 3%.
Fitimet ranë lehtë për të dytin vit radhazi, duke u tkurrur me 2.6%, në 1.4 miliardë lekë. Norma e fitimit ishte 5%, nga 5.3% vitin e mëparshëm. Rrjeti i supermarketeve të “Big Market” ka njohur rritje të shpejtë vitet e fundit, duke arritur në mbi 180 pika.
Sipas burimeve zyrtare, përparësi mbetet forcimi i pranisë në zonat urbane me kërkesë të lartë, por edhe pozicionimi strategjik në destinacionet turistike dhe zonat në zhvillim”.
-Rrjeti i supermarketeve “SPAR Albania” është zinxhiri i dytë më i madh i supermarketeve në vend. Sipas burimeve nga kompania, të ardhurat e konsoliduara të rrjetit SPAR rezultojnë 22.6 miliardë lekë në vitin 2025, me rritje prej 12.6%.
Ndryshe nga tendenca e të ardhurave, ajo e fitimeve ishte me tkurrje të lehtë, duke zbritur në 847 milionë lekë (-0.5%). Norma ra në 3.7%, nga 4.2% vitin e mëparshëm.
Në mars 2025, Grupi BALFIN, që zotëronte “SPAR Albania” i shiti aksionet te sipërmarrja nga Kosova, “Viva Fresh Store”, ndërsa kalimi i aksioneve nga aksioneri i mëparshëm, grupi BALFIN, u realizua në 31 korrik 2025.
Kompania ka qenë agresive në zgjerim. Në gusht 2026 u njoftua se “SPAR Albania” bleu “D & D Distribution” (ish-“Eco Market Food”), duke marrë të gjithë veprimtarisë ekonomike të rrjetit të marketeve “Eco Market”.
Krahas rrjetit të supermarketeve “Eco Market”, “SPAR Albania” bëri të ditur se ka blerë ndërkohë edhe hapësirat e rrjetit të marketeve të operatorit tjetër të përpunimit dhe tregtimit të produkteve të mishit, Kombinatit të Mishit Yzberisht (KMY), për marketet me përmasa mbi 300 metra katrorë. Gjithsej janë blerë 16 markete tek ECO dhe 6 markete të KMY.
Përmes dy blerjeve të fundit, “Spar Albania” arriti një numër total pikash prej 124, përfshirë franshizën sipas burimeve zyrtare.

-“Conad Albania” raportoi të ardhura prej 4.9 miliardë lekësh në vitin 2025, me rritje 11%. Rrjeti i supermarketeve, që është segmentuar në një pozicion më premium, është i vetmi që raporton norma fitimi dyshifrore nga më të mëdhenjtë. Në 2025-n, fitimet e kompanisë ishin 753 milionë lekë, me zgjerim gati 20% me bazë vjetore.
Norma e fitimit ishte 15.3%, nga 14.2% në vitin 2024. Kompania ka pranuar vazhdimisht në raportet e saj vjetore se ndër faktorët që ndikojnë pozitivisht në aktivitetin e saj janë rritja e konsumit të produkteve cilësore; stabilizimi i kursit të këmbimit Lek/Euro; rritja e PBB-së dhe fuqisë blerëse; ndryshimi i preferencave drejt produkteve të shëndetshme.
“Diambe”, pasi hyri në 2024-n në listën e “Monitor 200” sipas fitimeve, ka dalë sërish në vitin 2025. Operatori ka rritur me shpejtësi të ardhurat vitet e fundit, duke kaluar për herë të parë, si i treti më i madh në vend.
Të ardhurat u zgjeruan me 14.4%, duke arritur në gati 5.6 miliardë lekë. Por, tendenca nuk ishte e njëjtë për fitimet, që ranë me 22% në 2025-n, në 173 milionë lekë. Norma e fitimit ishte 3.1%.
Zinxhiri i marketeve zbaton konceptin e “discount” në vend dhe ka filluar aktivitetin në vitin 2014.
“Xhangolli Group”, shoqëria që menaxhon rrjetin e supermarketeve “Xhangolli”, kishte një qarkullim vjetor prej 4 miliardë lekësh, me rritje 20%. Fitimi para taksave ishte 54 milionë lekë, me një normë para taksave vetëm 1.3%.
“Extramarket” raportoi të ardhura të qëndrueshme në 2.9 miliardë lekë. Fitimi para taksave ra me 12%, në 181 milionë lekë. Norma e fitimit ishte 6.2%, nga 7.1% vitin e mëparshëm.
– “D & D Distribution” (ish-“Eco Market Food”), me aktivitet në fushën e prodhimit, magazinimit dhe tregtimit të prodhimeve e ushqimeve blegtorale e bujqësore, raportoi të ardhura rreth 2.3 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie 9% me bazë vjetore, e ndikuar kryesisht nga shërbimi “T-Com”, ndërsa të ardhurat nga shitja e mallrave ushqimore u tkurrën me 4%.
Shoqëria raportoi sërish humbje prej 24 milionë lekësh, në dyfishim nga viti i mëparshëm. Në mes të 2026-s, rrjeti iu shit “SPAR Albania”.

Rrjetet e tjera të pakicës
“Rossmann & Lala”, rrjeti gjermano-shqiptar i marketeve, po rezulton një nga bizneset më të qëndrueshme, me shtim dyshifror vit pas viti.
Në vitin 2025, qarkullimi i saj vjetor arriti në 8.9 miliardë lekë, me zgjerim 13.2%. Kompania tregton produkte kozmetike, shëndeti, parfume, si dhe produkte të tjera dytësore të kësaj kategorie. Shoqëria është një nga më fitimprurëset në aktivitetin e tregtisë me pakicë.
Në 2025-n, fitimet ishin 1.7 miliardë lekë, me rritje prej 13%. Norma e kthimit para taksave është 19.3%.
“Megatek”, hipermarketi më i madh “Bëje vetë”/DIY në Shqipëri, ka raportuar të ardhura prej 3.2 miliardë lekësh në vitin 2025, me rritje 4.3% me bazë vjetore.
Fitimet ishin 494 milionë lekë, në nivele të njëjta me vitin e mëparshëm. Sipas raportit vjetor, “‘Megatek’ ka bërë përmirësime thelbësore në strukturën e saj të shitjes, e cila ka çuar në rritje dhe qëndrueshmëri të fitimit.
Indikatorët e performancës financiare tregojnë se në vitin 2025, kthimi për çdo lek të investuar në asete (ROA) ishte 11.8%, nga 11.7% në vitin 2024, duke reflektuar përmirësim të lehtë të eficiencës në përdorimin e aseteve”.
Hyrja në treg e “Lidl” pritet të shtojë konkurrencën
Tregu i shitjes me pakicë pritet të zgjerohet më tej me hyrjen e zinxhirit gjerman të supermarketeve “Lidl”, i pranishëm në 31 shtete me mbi 12,500 dyqane.
Kompania, që ka një njësi lokale në Shqipëri që nga viti 2022, ka marrë statusin e “Investitorit Strategjik” për ndërtimin e një qendre logjistike prej rreth 105 milionë eurosh në Porto Romano, pranë Durrësit. Investimi pritet të krijojë rreth 2,500 vende pune dhe të mbështesë shtrirjen e ardhshme të rrjetit të supermarketeve në vend.
Në një prononcim për “Monitor”, “Lidl” ka theksuar se qendra logjistike do të shërbejë jo vetëm për furnizimin e dyqaneve, por edhe për grumbullimin dhe shpërndarjen e produkteve shqiptare, duke u mundësuar prodhuesve vendas akses në zinxhirët europianë të furnizimit të kompanisë.
Supermarketet në Ballkan, rritje e shpejtë, por fitime të ulëta
Zinxhirët e supermarketeve janë kthyer në disa prej bizneseve më të mëdha të Ballkanit Perëndimor, duke qenë pjesë e sipërmarrjeve kryesore sipas të ardhurave. Megjithatë, përfitueshmëria e tyre mbetet relativisht e ulët, me norma fitimi që në shumicën e rasteve luhaten nga 1% deri në 5% të të ardhurave.
Edhe operatorët që kryesojnë renditjet kombëtare të kompanive më të mëdha shpesh realizojnë fitime modeste në raport me vëllimin e shitjeve, ndërsa disa prej tyre vazhdojnë të raportojnë humbje.
Ky është një tipar i tregtisë ushqimore edhe në ekonomitë e zhvilluara. Sipas raportit “The State of Grocery Retail Europe 2026”, të publikuar nga “McKinsey” dhe “EuroCommerce”, norma mesatare e fitimit operativ (EBIT) për operatorët e mëdhenj europianë ishte 2.8% në vitin 2025, e pandryshuar nga një vit më parë.
Raporti evidenton presionin e vazhdueshëm nga kostot operative, pagat dhe investimet, ndërsa vëllimet e shitjeve në Europë u rritën me vetëm 0.6%.
Në modelin e supermarketeve, fitimet krijohen kryesisht përmes vëllimeve të mëdha të shitjes dhe qarkullimit të shpejtë të mallrave, më shumë sesa nga norma të larta fitimi për çdo produkt. Kostot e furnizimit, transportit, magazinimit, energjisë, qirave dhe personelit zënë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave.
Konkurrenca për çmimet kufizon mundësinë e transferimit të plotë të këtyre kostove te konsumatorët, ndërsa zgjerimi i rrjeteve kërkon investime të vazhdueshme në dyqane dhe logjistikë.
A fitojnë supermarketet në Shqipëri më shumë se ato në rajon?!
Në Shqipëri, përjashtuar “Conad Albania”, me 15.3%, norma e fitimit neto të supermarketeve luhatet nga 1.1% te “Xhangolli Group” në 5.3% te “Extramarket”. Shumica e operatorëve kanë norma midis 2.5% dhe 5.3%.
Konkretisht, “Big Market” ka një normë neto prej 4.2%, “SPAR Albania” 3.1%, “Diambe” 2.5%, “Conad Food Trade” 5%, “Xhangolli” 1.1% dhe “Extramarket”, 5.3%.
Në rajon, normat ndryshojnë ndjeshëm sipas operatorit. Në Serbi, rrjetet kryesore kanë përgjithësisht norma më të ulëta: “Delhaize” 0.6%, “Lidl” 3.7%, “Univerexport” 0.2%, ndërsa “IDEA Marketi” dhe “Gomex” rezultojnë me humbje.
Në Bosnjë-Hercegovinë, norma luhatet nga 0.5% te “Tropic” në 5.6% te “Bingo”. Në Malin e Zi, nga 0.5% te IDEA-CG në 4.3% te “Hard Discount Laković”. Në Kosovë, “Viva Fresh” ka një normë neto prej 4.9%.
Pra, normat e fitimit në Shqipëri janë përgjithësisht të krahasueshme me ato të rajonit, madje disa operatorë shqiptarë kanë norma më të larta se zinxhirët e mëdhenj serbë. Megjithatë, tregjet rajonale kanë rrjete me qarkullim shumë më të madh, çka u mundëson të operojnë edhe me marzhe të ulëta.
Tregu shqiptar i supermarketeve mbetet më pak i zhvilluar për nga përmasat e rrjeteve, pasi “Big Market” dhe “SPAR Albania”, dy operatorët më të mëdhenj, kanë të ardhura më të ulëta se zinxhirët kryesorë në Kosovë dhe Mal të Zi, ndonëse këto vende kanë popullsi më të vogël.
Serbia, fitimet më të larta, nga rrjetet me zbritje (discount)
Serbia ka tregun më të madh të supermarketeve në Ballkanin Perëndimor, ku vetëm pesë operatorë kryesorë realizojnë afro 4 miliardë euro të ardhura. Prania e rrjeteve ndërkombëtare është veçanërisht e fortë, krahas zinxhirëve vendas.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrave të Biznesit (APR), të publikuara nga “CompanyWall”, “Delhaize Serbia”, që administron rrjetet “Maxi” dhe “Shop&Go”, realizoi 1.44 miliardë euro të ardhura në vitin 2025, duke qenë operatori më i madh i supermarketeve në rajon. Megjithatë, fitimi neto ishte vetëm 8.9 milionë euro, ose 0.6% e të ardhurave.
“Lidl Srbija”, operatori gjerman i modelit discount, realizoi 1.08 miliardë euro të ardhura dhe 40.1 milionë euro fitim neto, me normë 3.7%. Megjithëse kishte qarkullim rreth 25% më të ulët se “Delhaize”, fitimi i tij ishte 4.5 herë më i lartë.
Një tjetër operator i madh, “IDEA Marketi”, raportoi 780.4 milionë euro të ardhura, por e mbylli vitin me rreth 34.6 milionë euro humbje neto. Ndërkohë, “Univerexport”, me 378 milionë euro të ardhura, realizoi vetëm rreth 640 mijë euro fitim, me normë 0.2%.
Bosnjë-Hercegovina, kryeson “Bingo”
Në Bosnjë-Hercegovinë, “Bingo” është kthyer në kompaninë më të madhe të vendit sipas të ardhurave, duke tejkaluar edhe operatorët e energjisë dhe tregtisë së karburanteve.
Zinxhiri vendas realizoi 1.18 miliardë euro të ardhura dhe 65.8 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me normë 5.6%, sipas renditjes së kompanive më të mëdha në Ballkan, publikuar më herët nga “Monitor”.
“Bingo” është një nga rastet më të suksesshme të zhvillimit të një rrjeti vendas supermarketesh në rajon, me një numër të madh njësish tregtare dhe rreth 8,370 të punësuar. Fitimi i tij ishte më i lartë se ai i operatorëve kryesorë të tregut serb, përfshirë “Lidl”.
Ndërkohë, “Tropic Maloprodaja”, me seli në Republikën Srpska, realizoi 407.6 milionë euro të ardhura, por vetëm rreth 2 milionë euro fitim neto, me normë 0.5%.
“Konzum”, pjesë e grupit kroat “Fortenova”, raportoi 373.6 milionë euro të ardhura dhe 15.2 milionë euro fitim neto, me normë 4.1%.
Mali i Zi, zinxhirë të mëdhenj në një treg të vogël
Në Mal të Zi, sektori i supermarketeve ka arritur përmasa të konsiderueshme në raport me popullsinë e vendit. Tre rrjete të tregtisë ushqimore përfshihen ndër dhjetë kompanitë më të mëdha të ekonomisë sipas të ardhurave.
“Voli Trade”, operatori më i madh vendas, realizoi 390.1 milionë euro të ardhura dhe 16.1 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me normë 4.1%.
“Hard Discount Laković” raportoi 294.2 milionë euro të ardhura dhe 12.5 milionë euro fitim, me normë 4.3%, ndërsa “IDEA-CG”, pjesë e grupit “Fortenova”, realizoi 275.7 milionë euro të ardhura dhe vetëm 1.34 milionë euro fitim, me normë rreth 0.5%.
Një tjetër operator, “Domaća Trgovina”, kishte 161.4 milionë euro të ardhura dhe 4.1 milionë euro fitim neto, me normë 2.5%.
Në Mal të Zi, kërkesa nuk kufizohet vetëm te popullsia rezidente, pasi turistët e huaj ndikojnë në konsumin ushqimor, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Zinxhirët e mëdhenj përfitojnë edhe nga organizimi i përbashkët i furnizimeve dhe shpërndarjes, megjithëse normat e fitimit mbeten përgjithësisht në nivele njëshifrore.
Maqedonia e Veriut, modeli “discount” me norma fitimi 2-3%
Në Maqedoninë e Veriut, rrjetet e supermarketeve me çmime të ulëta kanë fituar një peshë të rëndësishme në tregtinë ushqimore. KAM, operatori më i madh i këtij segmenti, realizoi 334 milionë euro të ardhura në vitin 2025, ndërsa “Kipper Market” arriti në 256.7 milionë euro dhe “Stokomak” në 165.4 milionë euro.
Sipas analizës së revistës së specializuar “InStore”, bazuar në të dhënat financiare të përpunuara nga “Biznis Mreza”, KAM regjistroi normë fitimi neto prej 2.99%, ekuivalente me rreth 10 milionë euro. “Kipper Market” kishte normë 2.51%, ose rreth 6.4 milionë euro fitim, ndërsa “Stokomak” vetëm 0.56%, me fitim afërsisht 930 mijë euro.
Analiza sektoriale evidenton se rritja e shitjeve nuk është shoqëruar në të njëjtën masë me zgjerimin e fitimeve, për shkak të presionit të kostove operative dhe konkurrencës.
Maqedonia e Veriut është njëkohësisht vendi me nivelin më të ulët të çmimeve të ushqimeve në krahasimin rajonal të Eurostat. Në vitin 2025, indeksi i çmimeve ishte 74.3% e mesatares së BE-së, kundrejt 102.9% në Shqipëri.
Konkurrenca e zinxhirëve “discount” është një element i rëndësishëm i strukturës së tregut maqedonas, ndonëse diferencat e çmimeve ndikohen edhe nga faktorë të tjerë, si prodhimi vendas, kostot e importit dhe politikat fiskale.
Kosova, “Viva Fresh” shtrihet në tregjet fqinje
Në Kosovë, “Viva Fresh” është një nga zinxhirët më të mëdhenj të supermarketeve në rajon. Sipas pasqyrave financiare të audituara nga BDO, kompania realizoi 369.9 milionë euro të ardhura në vitin 2025 dhe 18.3 milionë euro fitim neto, me një normë fitimi prej 4.9%. Të ardhurat u rritën me 12%, ndërsa fitimi neto u tkurr me rreth 4%, i ndikuar nga rritja e kostove operative.
Sipas raportit të menaxhimit, “Viva Fresh” operonte në fund të vitit 2025 me 117 supermarkete dhe 3,688 punonjës. Kompania ka zhvilluar edhe një infrastrukturë të centralizuar logjistike, me mbi 40 mijë metra katrorë hapësira, që mbështet furnizimin e rrjetit dhe menaxhimin e kostove.
Një tjetër operator i madh në Kosovë është “Proex”, që administron rrjetin “Interex”, me 241.4 milionë euro të ardhura në vitin 2025. Për këtë kompani nuk ka të dhëna të verifikuara të fitimit neto.
“Viva Fresh” po zgjerohet edhe në tregjet fqinje. Në vitin 2025, grupi bleu “SPAR Albania” nga BALFIN për 36.4 milionë euro. Më pas, në vitin 2026, “SPAR Albania” bleu rrjetin “Eco Market”, me 16 dyqane, si dhe 6 markete të Kombinatit të Mishit Yzberisht, duke e çuar rrjetin në 124 pika shitjeje, përfshirë franshizën.
Në Maqedoninë e Veriut, ku “Viva Fresh” kishte hyrë në vitin 2022 përmes blerjes së “Kit-Go”, grupi mori në vitin 2026 edhe licencën për markën SPAR, me synimin për të kthyer 65 dyqane ekzistuese në këtë rrjet.

LEXONI EDHE:
200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.







