Saturday / November 21 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
200 kompanitë me fitime më të mëdha, 2025 Lajmet Kryesore Nga Vendi

Me garazhet që arrijnë mbi 100 mijë euro, parkimi po bëhet një biznes gjithnjë e më i mirë

Share Share Icon

Në një prej njoftimeve në rrjetet sociale së fundmi, një agjent i pasurive të paluajtshme cilësonte si okazion shitjen e një garazhi në zonën e Bllokut në kryeqytet, me çmim 110 mijë euro. Agjenti shpjegonte se kjo ishte një mundësi e mirë që të shpëtonte nga kokëçarjet për të parkuar makinën në një zonë ku tashmë nuk gjen pothuajse asnjë vend të lirë.

“Zona ka kërkesë shumë të lartë për parkim dhe prona është shumë e përshtatshme dhe për investim, pasi mund të jepet me qira”, thuhej në postimin e njoftimit.

Sipërfaqja e parkimit ishte 15 metra, që e bën çmimin e blerjes për metër katror të arrijë në nivelin e 7.3 mijë eurove, nga 2.1 mijë euro që është çmimi mesatar i apartamenteve në kryeqytet sipas “Key Data Albania”, apo 3 mijë euro mesatarja e zonës së Bllokut.

Vetëm 5-6 vite më parë, ekspertët sugjeronin që blerja e parkimeve ishte një alternativë shumë e mirë investimi, që të jepte një kthim të sigurt dhe të shpejtë, përmes qiradhënies teksa nuk kërkonte shpenzime mirëmbajtje si lyerje, ndryshim mobilimi etj., si për apartamentet.

Në atë kohë një garazh kushtonte 10-15 mijë euro në Komunën e Parisit, apo maksimumi 30-35 mijë euro në zona qendrore, si në Bllok. Kthimi nga investimi llogaritej në rreth 5 vjet, përkundrejt gati 20 vjet që është ai nga qiraja e një apartamenti, sipas të dhënave nga operatorët e tregut.

Shtimi i shpejtë i numrit të automjeteve, teksa tre vitet e fundit janë regjistruar për herë të parë rreth 100 mijë automjete në vit, rreth 41% e të cilave në kryeqytet, e kombinuar me uljen e hapësirave për parkim për shkak të ndërtimeve të reja kudo, e ka bërë parkimin një mision të pamundur dhe më pak e keqja, tepër të shtrenjtë.

Sot garazhi më i lirë në Komunë kushton 40 mijë euro dhe çmimi mesatar luhatet në 50-60 mijë euro në varësi të zonës, teksa në Bllok i kaloi 100 mijë euro. Posti më i lirë i mundshëm është rreth 20 mijë euro në komplekset në periferi dhe jo i mbyllur, po thjesht një zonë e vijëzuar në rrugë.

Me raporte të ngjashme janë shtrenjtuar dhe qiratë e parkimeve mujore. Për krahasim, në zonën e Komunës, parkimi më i lirë mujor kushton 12 mijë lekë dhe arrin deri në 20 mijë lekë, nga 4-5 mijë lekë 5-6 vite më parë, ndërsa në Bllok i kalon 20 mijë lekë në muaj minimumi.

Bërja e parkimeve me pagesë në rrugët e kryeqytetit ishte një tjetër faktor që nxiti shtrenjtimin e parkimit.

Nga 100 apo 200 lekë që mund ta lije makinën gjithë ditën në parkimet private, në momentin që rrugët publike u bënë me pagesë, çmimi ishte 100 lekë/orë, duke ndikuar dhe tarifat e privatit. Të dhënat e Bashkisë së Tiranës tregojnë se të ardhurat e Baskisë nga tarifat e parkimit të automjeteve kanë arritur në gati 7 milionë euro në vit,

 

Burimi: Projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës, 2025

 

Për të dytin vit radhazi në renditjen e “Monitor 200”, sipas fitimeve, ka një shoqëri që administron parkingjet. “Star Parking Albania”, një shoqëri në pronësi të “Albcart”, ka raportuar të ardhura prej gati 638 milionë lekësh në vitin 2025, me rritje 10%, krahasuar me 2024. Kompania deklaroi fitime prej 317 milionë lekësh, me një normë gati 50%.

Sipas raportit të aktivitetit, shoqëria menaxhon Parkingjet Pt, P2, Kiss & Fly, Parkingu në zonën e jashtme të mbërritjeve, në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Biznesi i parkimit po rritet me shpejtësi dhe në Tiranë. “Arena S&P”, në pronësi të Grupit FINMAN (Alb-Star), që menaxhon parkimet nëntokësore në zonën e stadiumit “Air Albania” deklaroi të ardhura prej 250 milionë eurosh në vitin 2025 dhe fitime para taksave 78 milionë euro, me normë 31%, ndonëse nuk arrin të hyjë në listën e “Monitor 200”.

Për parkingje të tjera të mëdha në kryeqytet, që operojnë në hotele apo qendra tregtare, është e vështirë të gjenden të dhëna të detajuara, pasi ato funksionojnë nën emrin e shoqërisë mëmë, si “Gener 2” te “Qendra Toptani”, apo “The Plaza Tirana”. Të dy hapësirat kryesore të parkimit në qendër të kryeqytetit i shtrenjtuan ndjeshëm tarifat e parkimit me rreth 60-70% në fillim të 2026-s.

Në hotel “Plaza”, minimumi i pagesës është 300 lekë për një orë (nga 200 lekë më parë) dhe 400 lekë për 1-2 orë. Deri në 5-6 orë qëndrim duhen 800 lekë (nga 600 lekë më parë) dhe për 7-8 orë, kushton 1000 lekë (nga 900 lekë më parë).

Në “Toptani Shopping Center”, minimumi i pagesës për parkim është 300 lekë (deri në 2 orë).

Për 5-7 orë, pagesa është 1000 lekë, ndërsa më herët tarifa për 6-8 orë qëndrim ishte 600 lekë dhe mbi 8 orë ishte 800 lekë. (tashmë 7-10 orë kushton 1400 lekë). Burime zyrtare nga kompania “Gener 2”, që menaxhon “Qendrën Toptani” dhe parkimin poshtë sqaruan në atë kohë për “Monitor” se “‘Toptani’ është subjekt privat dhe tarifat e parkingut si dhe qiratë janë vendosur në përputhje me kushtet e tregut.

Parkimet janë në funksion të vizitorëve brenda qendrës. Me rritjen e numrit të tyre është bërë e nevojshme të kemi më shumë vende të lira dhe qarkullim të makinave, pa bllokuar kapacitetet tona”.

Me ritmin e pritshëm si të ndërtimeve, ashtu dhe të shtimit të automjeteve, kërkesa pritet të rritet më tej përballë një oferte që po vjen gjithnjë në ulje, duke ndikuar në shtrenjtimin e mëtejshëm të qirave mujore, ashtu dhe të garazheve, ndonëse kjo e fundit jo me ritmet e viteve të mëparshme.

Kufizimi i hapësirave publike të parkimit do të jetë një tjetër faktor negativ, që pritet të ndikojë më shumë në shtrenjtimin e qirave mujore apo tarifave ditore.

Në zonën pranë Liqenit të Tiranës, dy parkime të mëdha të Bashkisë, me kosto shumë më të lira se në qendër, janë mbyllur dhe ka filluar ndërtimi i kullave, duke e bërë pothuajse të pamundur për ata që duan të dalin në ajër të pastër të vijnë deri te Diga me automjet.

Edhe parkimi i Bashkisë tek ish-Terminali i Autobusëve është mbyllur me kohë. Të njëjtin fat pritet të ketë dhe parkimi te stadiumi “Selman Stërmasi”, pasi do të jepet si projekt i investimit që zhvillon pronat shtetërore me privatin, ai te Parku i Delegacioneve dhe te pallati i sportit “Asllan Rusi”.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në fund të tetorit 2026, në Tiranë kishte të regjistruar 390 mijë automjete, ose një e treta e mjeteve të regjistruara në vend.

Në raport me popullsinë e Bashkisë së Tiranës, që sipas Censit të ri të INSTAT ishte rreth 750 mijë banorë si prefekturë dhe 600 mijë si Bashki, rezulton se tashmë çdo dy banorë ka një automjet në Tiranë, me rreth 520-600 mjete për 1 mijë banorë.

Kjo shifër është shumë më e lartë se mesatarja e vendit prej rreth 360 automjetesh për 1 mijë banorë, sipas INSTAT-it (ndër më të ulëta në Europë pas Turqisë e Maqedonisë së Veriut) dhe në linjë me mesataren e Bashkimit Europian, që sipas Eurostat-it është 580 automjete për 1 mijë banorë për vitin 2025.

Deri në tetor 2026, në vend qarkullonin rreth 1.12 milionë automjete, teksa çdo muaj regjistrohen për herë të parë rreth 7-9 mijë mjete, sipas DPSHTRR. Nga këto, 904 mijë janë autovetura.

 

LEXONI EDHE:

200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Fitimet e luhatshme të biznesit të madh të energjisë  

Energjia, mbi 90% e së cilës vjen nga hidro, është një treg që vitet e fundit ka tërhequr investime të shumta private, që në pjesën më të madhe jap...

10 minutes më parë 29 Min Lexim

Hidrocentralet e vogla, investimet shlyhen për 9-14 vjet, prodhimi varet nga kushtet hidrike

Nga Dr. Ing. Mehmet Hasalami   Si çdo aktivitet tjetër ekonomik, edhe sektori hidroenergjetik ka përparësitë, rreziqet dhe vështirësitë e veta...

12 minutes më parë 4 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!