Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar garanci të qëndrueshme dhe afatgjata për sigurinë e Ukrainës, duke theksuar se anëtarësimi në NATO mbetet rruga më e sigurt për mbrojtjen e vendit nga agresioni rus.
Në një reagim në rrjetin social X, pas diskutimeve në kuadër të Koalicionit të të Vullnetshmëve, Zelensky deklaroi se anëtarësimi i Ukrainës në Aleancë do të përbënte një garanci të fortë për Kievin dhe do ta forconte edhe vetë NATO-n.
“Rruga më e qartë për të forcuar NATO-n është përfshirja e Ukrainës. Kjo funksionon për të dyja palët, Ukrainën dhe NATO-n”, u shpreh ai.
Megjithatë, presidenti ukrainas tha se ende nuk është e qartë se si do të sigurohen garancitë e sigurisë për vendin. Sipas tij, ato duhet të jenë të ngjashme me mbrojtjen që ofron Neni 5 i Traktatit të NATO-s.
Zelensky theksoi se garancitë nuk mund të varen nga mandati i presidentit amerikan Donald Trump dhe duhet të mbeten në fuqi edhe pas përfundimit të tij.
“Duhet t’i garantojmë Ukrainës, para së gjithash qytetarëve tanë, dhe gjithë Europës se garancitë e sigurisë për Ukrainën do të jenë të forta jo vetëm për këto dy vite, gjatë të cilave Donald Trump do të jetë president i Shteteve të Bashkuara, por edhe përtej tyre”, deklaroi ai.
Kreu i shtetit ukrainas nënvizoi se Ukraina po lufton për të mbrojtur të ardhmen e saj dhe nuk mund të pranojë garanci të përkohshme, të cilat do të skadonin pas një periudhe të shkurtër.
“Ne po luftojmë për të mbrojtur vendin tonë jo vetëm për dy vite. Dhe na duhen garanci sigurie jo për dy vite, por përgjithmonë”, tha Zelensky.
Duke iu referuar takimit të fundit mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, presidenti ukrainas komentoi edhe afrimitetin e shfaqur mes dy liderëve. Ai paralajmëroi se marrëdhënia e tyre nuk mund të shërbejë si garanci për paqen dhe sigurinë e Ukrainës.
“Edhe nëse Putini dhe Trump janë miq, siç u duk së fundmi, ideja se Putini mund të ketë frikë të ndërmarrë diçka apo të nisë një tjetër agresion vetëm për dy vite, nuk funksionon për ne”, përfundoi Zelensky.












