Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur nga një zjarr i madh që përfshiu një fabrikë ëmbëlsirash në Indonezi. Ndërkohë, 36 persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet mes vështirësive, pasi flakët janë ende aktive në disa pjesë të uzinës.

Zjarri shpërtheu pasditen e së shtunës në fabrikën e kompanisë PT Fonua Agung Mulia, e vendosur në zonën industriale të Cikande, në provincën Banten, rreth 50 kilometra në perëndim të kryeqytetit indonezian, Xhakarta.

Sipas zyrtarit të kërkim-shpëtimit, Rizki Dwiyanto, tre persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa katër të tjerë kanë marrë plagë dhe janë transportuar në qendrat shëndetësore për trajtim.

Autoritetet kanë ulur në 36 numrin e personave të raportuar të zhdukur, ndërsa më herët kishte informacione se dhjetëra punonjës mund të kishin mbetur të bllokuar brenda objektit.

Ekipet e zjarrfikësve dhe të kërkim-shpëtimit po vijojnë ndërhyrjen, por operacioni është vështirësuar nga zjarri, i cili mbetet aktiv në disa zona të fabrikës.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit të flakëve dhe rrethanat e tragjedisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb