Vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e vlerave të ulëta barike, duke sjellë kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira dhe reshje shiu në disa zona. Reshjet më të dendura pritet të përqendrohen sërish në zonat veriore të Shqipërisë.
Në pjesën qendrore dhe jugore të vendit moti do të karakterizohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash, të cilat herë pas here do të zhvillohen duke sjellë reshje të dobëta shiu. Ndërkohë, gjatë orëve të natës pritet shtim i intensitetit të reshjeve, veçanërisht në zonat lindore të territorit.
Sa i përket temperaturave, ato do të shënojnë një ulje të mëtejshme. Vlerat minimale pritet të zbresin deri në 1°C në Peshkopi, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 22°C në qarkun e Durrësit.
Era do të jetë e fortë, kryesisht nga drejtimi jugor, me shpejtësi që do të kalojë 75 km/h. Ky përforcim i erës do të sjellë edhe përkeqësim të kushteve në det, ku dallgëzimi pritet të arrijë deri në 6 ballë.

