Moti për 22 nëntorin/ Reshje në gjithë vendin dhe erë e fortë deri në 75 km/h

Aktualitet | 8 minuta më parë

Vlerat e ulëta barike do të vijojnë të ndikojnë territorin shqiptar edhe gjatë kësaj të diele, duke sjellë mot kryesisht të paqëndrueshëm me vranësira dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit.

Sipas parashikimit të MeteoAlb, reshjet më intensive pritet të regjistrohen në zonat veriore, ku moti do të paraqitet më problematik.

Ndërkohë, në zonat qendrore dhe jugore do të ketë alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta. Herë pas here vranësirat do të zhvillohen duke gjeneruar reshje shiu me intensitet të ulët. Gjatë mbrëmjes dhe natës, meteorologët parashikojnë intensifikim të reshjeve në gjysmën lindore të territorit.

Temperaturat e ajrit do të shënojnë rënie. Vlera minimale pritet të zbresë në 1°C në Peshkopi, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 22°C në qarkun e Durrësit.

Sa i përket erës, ajo do të fryjë e fortë nga drejtimi jugor, me shpejtësi që do të kalojë 75 km/h. Për pasojë, në brigjet detare pritet dallgëzim deri në 6 ballë, duke krijuar kushte të paqëndrueshme për lundrimin e mjeteve të vogla detare.

Meteorologët këshillojnë qytetarët të tregojnë kujdes në zonat ku pritet intensifikim i reshjeve, si dhe përgjatë vijës bregdetare për shkak të erës së fortë dhe detit të trazuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme