Sot, më 22 nëntor, festohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një datë që përkujton një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve, Kongresin e Manastirit, i mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908.
Kjo ditë simbolizon unifikimin kulturor të shqiptarëve. Kongresi u zhvillua në Manastir, sot Bitola në Maqedoninë e Veriut, në shtëpinë e Fehim Zavalanit, e cila është kthyer në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Në Kongres morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete dhe shoqata të ndryshme shqiptare, si dhe 18 vëzhgues. Ata përfaqësonin klube patriotike dhe intelektualë nga të gjitha trojet shqiptare.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi. Mes delegatëve të shquar ishin Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Sotir Peci, Parashqevi Qiriazi, e vetmja grua pjesëmarrëse, dhe Fehim Zavalani.
Në fjalimin e hapjes u theksua rëndësia e krijimit të një alfabeti të përbashkët, për të unifikuar gjuhën shqipe dhe për të ndihmuar në përhapjen e arsimit kombëtar.
Pas disa ditësh diskutimesh dhe analizash, Kongresi vendosi që alfabeti latin të përshtatej për gjuhën shqipe, me ndryshime që do të pasqyronin veçoritë fonetike të saj. Ky vendim shënoi një hap të rëndësishëm drejt unifikimit të shkrimit shqip dhe shmangies së përdorimit të alfabeteve të ndryshme, si ai grek, arab dhe cirilik, që përdoreshin më parë në zona të ndryshme.
Në këtë ditë të shënuar, kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video me fotografi të periudhës së Kongresit të Manastirit, të shoqëruar me një poezi kushtuar alfabetit shqip.
Krahas videos, Rama shkruan se nën hijeshinë e gërmave të gjuhës shqipe jeton kujtesa e kombit dhe frymon e ardhmja.
“Mirëmëngjes dhe në ditën e më të bukurave gërma, nën hijeshinë e së cilave jeton kujtesa e kombit tonë dhe frymëm e ardhmja, ju uroj një të diel të qetë”, shkruan Rama.
Alfabeti i njësuar luajti një rol kyç në përhapjen e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e letërsisë kombëtare, duke ndihmuar në krijimin e një baze të përbashkët për zhvillimin e identitetit shqiptar. Ky unifikim u bë një nga themelet që çuan drejt shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe u shpall festë zyrtare në Shqipëri në vitin 2023 dhe u kremtua për herë të parë si festë kombëtare po atë vit. Ajo festohet gjithashtu në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, duke pasqyruar rëndësinë e kësaj date për shqiptarët kudo që ndodhen.
