Sekuestrimi i 150 fishekëve në Merdare, policia kontrollon edhe shtëpinë e shoferit
Pas raportimit të Doganës për zbulimin e 150 fishekëve të padeklaruar në pikën kufitare në Merdare, Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me rastin.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit të një autobusi nga njësitë policore në bashkëpunim me Doganën, në valixhen e shoferit, mashkull, janë gjetur dhe sekuestruar 50 fishekë të pushkës së gjuetisë dhe 100 fishekë me gaz.
Gjatë intervistimit, shoferi ka deklaruar se fishekët i kishte blerë në një dyqan në Itali.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit dhe kontrollin e shtëpisë së të dyshuarit.
Gjatë kontrollit në shtëpi, i dyshuari ka dorëzuar një pistoletë me leje, një pushkë gjuetie me leje, si dhe 240 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Me urdhër të prokurorit, pas inicimit të rastit për veprën penale që lidhet me importin dhe transportimin e paautorizuar të armëve apo mjeteve plasëse, i dyshuari është liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Rasti është raportuar fillimisht nga Dogana e Kosovës, ndërsa Policia ka dhënë detaje shtesë për municionin e gjetur dhe kontrollin e realizuar në shtëpinë e shoferit. /Telegrafi/





























